E Shtunë, 31 Tetor 2026

I refuzohet viza gjermane, kërcënon ambasadorin

Ismir Kulla nga Fushë-Kruja tentoi disa herë të bashkohej me gruan gjermane dhe fëmijën. Arrestohet për të dytën herë

TIRANË- I refuzohet viza, kërcënon ambasadorin e Republikës Gjermane, të atashuar në Tiranë. Ismir Kulla, 36-vjeç, banues në Fushë-Krujë është arrestuar ditën e djeshme nga seksioni kundër Akteve Terroriste, pranë Policisë së Tiranës, pasiakuzohet për veprën penale të ”fyerjes së përfaqësuesve të shteteve të huaja”. Ngjarja për të cilën akuzohet 36-vjeçari ka ndodhur mëngjesin e së martës, kur ai i ka telefonuar ambasadorit të Gjermanisë në Tiranë dhe e ka kërcënuar me jetë.Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se Ismir Kulla e ka realizuar kërcëniminnëpërmjet telefonit fiks pranë ambasadës Gjermane në Tiranë, me motivacionin e refuzimit të një vize, për të disatën herë. Policia nisi menjëherë hetimet, pas denoncimit të ambasadës Gjermane, duke bërë të mundur brenda pak orësh identifikimin dhe më pas arrestimin e kërcënuesit.

Kërcënimi

Ismir Kulla kishte jetuar si emigrant në Gjermani, ku ishte martuar me një gjermane, me të cilën ka edhe një fëmijë. Ai ishte dëbuar disa vjet më pas dhe deportuar në Shqipëri. Që prej asaj kohe, Kulla kishte bërë të pamundurën të rikthehej në shtetin gjerman, duke u përpjekur të kryejë bashkimin familjar. Por një gjë të tillë nuk ka mundur ta realizojë, pasi i refuzohej viza nga ambasada e këtij shteti në Tiranë. Në nëntor të vitit të kaluar, 36-vjeçari aplikoi për vizë në Ambasadën Gjermane në Tiranë, por për arsye që nuk bëhen të ditura, viza iu refuzua. Kjo gjë duket se e ka irrituar jo pak atë, i cili vendosi të “hakmerrej” ndaj ambasadorit.Pak ditë më parë, ai ka telefonuar në numrin fiks të ambasadës gjermane dhe pasi është lidhur me ambasadorin, e ka kërcënuar atë se do t’i vendoste tritol godinës, për të dëmtuar ambasadorin Berd Bocfardt. Fill pas telefonatës kërcënuese njoftohet policia e Tiranës, e cila nisi hetimet për të identifikuar dhe kapur autorin. Për një kohë të shkurtër, polica mundi të zbulonte dhe të arrestonte autorin i cili qëndroi për disa ditë në qeli. Ndërkohë, pak ditë më parë, Kulla ka provuar sërish të pajiset me vizë gjermane duke aplikuar në ambasadë. Por ka marrë të njëjtën përgjigje negative. Për të nuk kishte vizë, por kjo përgjigje duket se e ka irrituar 36-vjeçarin nga Fushë-Kruja.Pavarësisht se kishte provuar njëherë qelinë për të njëjtën arsye, 36-vjeçari nuk ka nguruar të kërcënojë sërish ambasadorin gjerman. Kjo gjë ka ndodhur dy ditë më parë, kur Kulla telefonoi në numrin e ambasadës dhe kërcënoi ambasadorin Bocfardt.

Arrestimi

Për veprimin ekstrem të Ismir Kullës, në nëntor të vitit të kaluar, familja e tij u detyrua t’i kërkonte falje ambasadorit gjerman, duke i dërguar një letër ndjese si dhe duke i kërkuar një takim, i cili nuk u realizua kurrë. Familjarët e Kullës i kërkuan të falte atë për kërcënimin, pasi kjo gjë do ta mbante atë në burg. Lirimi i Kullës duket se erdhi pas “faljes” së ambasadorit gjerman, i cili është përballur sërish dy ditë më parë me veprimin ekstrem të 36-vjeçarit. Ismir Kulla doli nga qelia, ku qëndroi për disa kohë dhe aplikoi sërish për vizë, por përgjigja negative që i dha ambasada gjermane bëri që ai të kërcënojë nëpërmjet telefonit. Punonjësit e ambasadës sinjalizuan policinë, e cila kësaj here e kishte më të lehtë identifikimin dhe kapjen e autorit që duket se i kishte bërë “rrugë” kërcënimet në adresë të ambasadorit gjerman.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›