E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e foshnjës, dënohet mjekja nga Korça

 

Për herë të parë një mjeke është dënuar për vdekjen e një pacienteje një vjeçe. Dënimi vetëm 150 mijë lekë gjobë

KORÇË- Gjykata e shkallës së parë në Korçë ka shpallur fajtore një mjeke pediatre, të akuzuar nga prindërit e një foshnjeje për vdekje nga pakujdesia të fëmijës së tyre të parë. Dy vjet pas ngjarjes së rëndë, ku gjeti vdekjen foshnja një vjeçare Keona Llabanji, nga fshati Sul i Devollit, organet e drejtësisë kanë siguruar prova të mjaftueshme për të gjetur fajësinë tek bluzat e bardha. Trupi gjykues e ka gjetur mjeken fajtore por dënimi ndaj saj ishte vetëm 150 mijë lekë gjobë për veprën penale të vdekjes nga pakujdesia.

***

Vdekja e vajzës fatkeqe është regjistruar gjatë muajit maj të vitit 2006 në turnin e natës së mjekes Zhaneta Babliku. Vogëlushja njëvjeçare Keona Llabani është shtruar në spitalin Pediatrik të qytetit të Korçës nga prindërit e saj dhe vetëm mbas disa ditësh qëndrim në këtë spital, ka vdekur nga asfiksia. Bebja që i përkiste seksit femër, ishte fëmija i parë i çiftit Llabani nga rrethi i Devollit dhe ka mbetur e vdekur gjatë natës në spital dhe sipas akuzës së prindërve mosndërhyrja në kohë e mjekes së turnit dhe njëkohësisht përgjegjëse e repartit në këtë spital, ka rrezikuar jetën e foshnjës së pafajshme. Të gjendur nën sulmin e familjarëve përfaqësues të ardhur nga kryeqyteti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore kanë kryer autopsinë e vogëlushes fatkeqe, pasi prindërit nuk kanë pranuar që autopsinë ta kryejnë mjekët ligjorë të Korçës. Nga autopsia ka rezultuar se në trakenë ebebes ka mbetur një kokërr fasule, e cila i ka shkaktuar dhe asfiksinë. Ky version nuk u pranua nga prindërit e vajzës, të cilët akuzuan se mjekët kanë ndikuar në këtë përfundim të autopsisë dhe se asnjëherë fëmija e tyre njëvjeçare nuk ka qenë në kontakt me fasulet. Por vetëm gjashtë muaj pas denoncimit në prokurori të prindërve të viktimës ka nisur dhe procesi në gjykatën juglindore.

***

Kështu më 14 dhjetor 2006 në prokurorinë e Korçës ka nisur procesi ndaj spitalit Pediatrik dhe një mjeke është përfshirë nga hetimet duke u marrë e pandehur. Mbi 20 seanca gjyqësore janë dashur për të mbyllur këtë gjykim, ndaj mjekes së pandehur Babliku. Kanë qenë ekspertë të ndryshëm që janë thirrurpër të dëshmuar për këtë rast, edhe pse nga ana e mjekëve pediatër kolegë të së akuzuarës, mohohej se mund të konstatohej në kohë ekzistenca e një trupi të huaj dhe konkretisht një kokërr fasule që e kishte gëlltitur dhe që i mori jetën. Mjekja Zhaneta Babliku, sipas organit të drejtësisë, ka rezultuar fajtore për vdekjen e foshnjës njëvjeçare pasi ekspertizat mjeko-ligjore dhe specialistëve pediatër nga kryeqyteti që kanë treguar se mund të ndërhynte në kohë për të shpëtuar pacienten e vogël. Nga ana e organit të akuzës janë paraqitur kartelat klinike dhe grafitë por edhe dëshmitë e specialistëve të fushës. Mjekët kolegë të pediatres e kanë quajtur të pamundur identifikimin e fasules në trake (fyt), që u gjet vetëm pas autopsisë pasi nuk mund të shihej gjatë radiografive, porse pavarësisht nga ky fakt ajo sërish është shpallur fajtore, pasi mund të kishte konstatuar në kohë nga simptomat shqetësimet që kishte vogëlushja që u mbajt dy ditë në spital në gjendje të rëndë dhe të parandalonte vdekjen e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›