E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, rriten biletat e autobusit, kaos në urbanë

 

Rritja e përfolur ka hyrë në fuqi dje në qytetin e Durrësit duke bërë që edhe invalidët të zbriten nga autobusi

DURRËS- Rritja e papritur e biletave të transportit privat urban në qytetin e Durrësit ka shkaktuar kaos në këtë shërbim për udhëtarët që janë vënë papritur përballë çmimeve të reja. Por përveç rritjes së çmimit, linjat e urbanëve kanë ofruar edhe një tjetër “risi”. Tashmë as vërtetimet e veteranëve, të verbrit apo invalidëve të punës që gëzojnë status të veçantë nuk do të mund të udhëtojnë më falas. Ata që janë përpjekur që të udhëtojnë me këto dokumente janë ulur në tokë nga faturinot, të cilët pohojnë se vetëm sa kanë zbatuar urdhrin. Por për çudi çmimet e biletave nuk janë rritur nga të gjitha linjat e urbanëve por vetëm nga ato që kanë fluksin më të madh të udhëtarëve. Sinjalet për një rritje të çmimit janë dhënë në mënyrë të përsëritur dy e tre muajt e fundit, por dje gjithçka është bërë realitet. Dhjetëra qytetarë dje janë detyruar të zbresin në tokë sepse faturinot nuk i kanë lejuar të udhëtojnë pa paguar 30 lekë për biletë. Një tjetër problem për qytetarët e Durrësit është edhe mungesa e aboneve pasi punonjës të kompanisë kanë nxjerrë nga sportelet shumë pak të tilla duke lënë të pakënaqur nxënës të shkollave, të punësuar në sektorin shtetëror e privat të cilët janë të detyruar të lëvizin çdo ditë në këtë linjë. Drejtori i Zyrës së shërbimeve në bashkinë e Durrësit, Besnik Kërtusha,ka pohuar se kompanitë nukkanë vënë në dijeni për rritjen e çmimit. “Nuk kemi dijeni për rritjen e çmimit të biletës dhe ne si bashki do ta diskutojmë sa më parë situatën e krijuar”,- ka thënë Kërtusha. M. Brunga

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›