E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humba. Ju kërkoj ndjesë

Të gjithë atyre që ma besuan mua drejtimin e Muzikës në Akademinë e Arteve
Të dashur miq!
Unë s'mund ta di saktësisht se cilët jeni, por di që jeni shumë dhe jeni më të mirët. Kjo është një siguri të cilën e kam pasur që ditën kur filluam të mendojmë së bashku lëvizjet e reja të ndryshimit dhe që në çastin kur kuptova që nuk ishte e nevojshme ta kërkoja votën tuaj në mënyra detyruese e kokë për kokë, apo ta kërkoja atë me telefonata të dyshimta kërcënimesh e miklimesh.
Në përgjithësi, duke mbajtur parasysh bashkëpunimin shumëvjeçar me njëri-tjetrin, nuk ishte aq e vështirë ta gjeje mbështetjen tuaj, por kjo nuk ishte as e thjeshtë, megjithëse, edhe kështu, ne nuk mundëm ta arrinim përfundimin e duhur.
Në procesin zgjedhor të një institucioni akademik e artistik si ky i yni juve s'mund t'ju frymëzoje me formulën e shpërdoruar e spekulative "votoj demokracinë", sepse ju e dini më mirë se të gjithë që demokracia nuk jam unë dhe as kandidatët e tjerë alternativë. Demokracia është vetë jeta dhe puna e përbashkët që me problemet e saj të përditshme kërkon angazhimin e ndershëm të të gjithëve; demokracia është të ecësh përpara e jo të mbetesh në vend, apo më keq akoma, të kthehesh prapa e me shprehjet arrogante të fituesit, të përpiqesh të prishësh gjithë punët e mira që ke trashëguar nga paraardhësit.
Juve s'mund t'ju gënjeje me lista premtimesh për poste e tituj, sepse ju ato i keni tashmë; po edhe në rastet që nuk i keni, besoni se për t'i fituar do të mjaftonte vetëm puna juaj dhe jo morali i deformuar i shitblerësit dhe as dyfaqësia apo servilizmi i hipokritit. Kjo është një dukuri e përhapur shumë ndër marrëdhëniet e sotme shoqërore në Shqipëri dhe për asnjë arsye ju s'do të lejonit që ajo të pushtonte edhe jetën e institucioneve më të larta të edukimit e të inteligjencës.
Juve s'mund t'ju kërcënoje, jo vetëm se ju nuk e dini çfarë është kërcënimi, por edhe sepse e dini, nga ana tjetër, që të kërcënosh, sidomostë kërcënosh në forma të organizuara, kjo përbën një precedent të rrezikshëm për grupimin intelektual ku bëni pjesë, për individin dhe për gjithë shoqërinë.
Kur të tjerët përballë jush janë përpjekur ta përdorin këtë mënyrë, ju nuk jeni nxitur të bëni të njëjtën gjë, sepse mendonit që edhe nëse do të fitonit, çfarë do t'ju duhej fitorja mbi njerëz të trembur, të frustuar e të detyruar të informojnë dashakeqësisht, të spiunojnë e të shkelin jo vetëm të drejtat e të tjerëve, por edhe moralin dhe personalitetin e tyre?
Në procesin zgjedhor që sapo ka përfunduar (i cili u mbyll përgjithësisht me sukses), juve u bëtë padashur palë në luftën e vjetër të të aftëve me të paaftët dhe harruat që s'mund ta fitonit atë veçse rastësisht, sepse në fund të fundit, po t'i referohemi edhe letërsisë më të mirë bashkëkohore shqiptare, në këtë "luftë" janë të aftët ata që lodhen të parët.
Miqtë e mi!
Unë humba në zgjedhje dhe për këtë ju kërkoj ndjesë të sinqertë por, nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë që unë e humba betejën për të qënë i ndershëm; vërtet jam i lodhur, ashtu si edhe ju, për të zbritur (ose për t'u ngritur) në vulgaritetin e marrëdhënieve hipokrite të hileqarëve; por nuk jam i lodhur për t'u qëndruar atyre përballë; për të punuar me përkushtim e dashuri dhe për të luftuar ndaj çfarëdo deformimi të mundshëm të atyre gjërave që i kemi arritur me shumë përpjekje e mundim.
Kjo mbetet edhe një nga detyrat më të rëndësishme për ditët që do të vijnë: Të bëjmë atë që s'mundëm ta arrijmë me rrugën e zgjedhjeve (të lira e të ndershme?): Të ruajmë pavarësinë e institucionit tonë dhe arritjet e tij të derisotme, duke kundërqëndruar me forcë ndaj çdo përpjekjeje për t'i deformuar ato; ndaj çdo sabotimi të shtyllave të qëndrueshme të shkollës dhe ndaj çfarëdo klime që inkurajon inatet meskine të gjasme "fituesve" ndaj "humbësve". (Sipas statistikave, në këtë kategori të fundit mbetet të jemi unë edhe ju dhe sipas deklaratave të fituesve ne do ta mësojmë shumë shpejt se ç'do të thotë të humbasësh).
Në çdo rast nuk do të ishim as të parët e as të fundit sepse, sipas orientimit tonë të përgjithshëm ideologjik, modeli i përparimit shoqëror mbetet gjithmonë Evropa e madhe;Evropa e qytetërimit dhe e demokracisë së studentëve francezë, të cilët janë në këmbë sa herë denigrohen e u shkelen të drejtat; Evropa e studentëve dhe e profesorëve italianë që, deri edhe Papën, e kufizojnë të mbajë fjalim në universitetin e tyre, vetëm pse dikur ai ka fyer ndërgjegjen shkencore dhe besimin në shkencën.
Ju uroj të gjithëve vullnet e dëshira të palëkundura për punë serioze e demokratike!
 
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›