E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP: Ajri, uji dhe ndotja akustike tej normave të BE-së

Sipas ISHP-së ndotja e ajrit në Tiranë është 10 herë mbi normat e lejuara, uji është i ndotur në 5 qytete dhe zhurmat problematike
Tirana vazhdon të jetë në krye të listës së zezë të ndotjes së ajrit, pasi në disa zona niveli i ndotjes të pluhurave në atmosferën urbane, janë 10 herë mbi normat e BE-së.
Këtë e dëshmon rezultati i monitorimit të fundit të ajrit nga Instituti i Shëndetit Publik, sipas të cilit, nuk është vërejtur asnjë përmirësim i cilësisë së ajrit. Madje shefi i departamentit të Ujit dhe Ajrit në ISHP, Arben Luzati pohon se zona e "21 Dhjetorit", vazhdon të jetë pika më e ndotur në Tiranë. Ndërkohë, specialistët e ISHP-së pohojnë se problematik vendi ynë paraqitet edhe sa i takon ndotjes së ujit të pijshëm dhe ndotjes akustike.
Ndotja e ajrit
"Lidhur me ndotjen në Tiranë nga grimcat e imta (PM10) që padyshim janë shumë të dëmshme, është vendi të shqyrtojmë hollësisht situatën, pasi monitorimi i këtij qyteti për disa vite rresht, tregon për situatë tepër të vështirë",- shpjegon Luzati. Ndërkohë pika të tjera shumë të ndotura të ajrit janë edhe zona si "Zogu i Zi", zona tek Liceu Artistik dhe plot zona të tjera. Ndërkohë, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik shpjegojnë se kjo shifër është marramendëse dhe padyshim shqetësuese, pasi duke ditur se normat e BE-së janë 50 mg/m3, janë kaluar këto norma në 395 mg/m3. Ndërsa sa i takon shkaktarëve të ndotjes së ajrit Arben Luzati shpjegon se, janë makinat e shumta dhe gazrat e shumta që shkarkojnë në mjedis, ato që ndikojnë fuqishëm në ndotjen e ajrit. Por sipas specialistëve, në ndotjen e ajrit ndikojnë edhe shumë shkaktarë të tjerë. Gjithashtu, specialistët pohuan se po të merret në shqyrtim pikërisht zona më e ndotur, "21 Dhjetori", konstatohet se kjo është zona me trafik më të dendur dhe përmbajtja e grimcave të vogla (PM10), sipas tyre, lidhet kryesisht me intensitetin e trafikut në kryqëzimin pranë pikës monitoruese. E ndërsa ndotja e ajrit tashmë është bërë një ndër problemet kryesore që shqetësojnë shqiptarët, mjekët japin alarmin se kjo po ndikon negativisht mbi shëndetin e banorëve. Sipas studimeve, rezulton se çdo vit vdesin nga ndotja e ajrit 100 deri në 150 njerëz. e.bardhi
Ndotja e ujit
Ndotja e ujit të pijshëm është një tjetër problem që ndikon negativisht mbi shëndetin e banorëve. Kështu, Instituti i Shëndetit Publik ka përfunduar të dhënat e plota të monitorimit, sipas të cilave, qytetet që kanë pasur ujë të pashëndetshëm janë: Tirana, Durrësi, Vlora, Korça dhe Lushnja. Sipas specialistëve të ISHP-së ndotja në këto qytete konstatohet nga ngarkesat mikrobiologjike që paraqiten në ditë dhe në pika të veçanta të monitorimit, si pasojë e amortizimit të brendshëm të rrjetit. Sipas tyre, monitorimi i ujit të pijshëm kryhet çdo ditë, në të gjithë vendin, përmes një sistemi kombëtar monitorimi. Drejtoritë e Shëndetit Publik në rrethe, sipas specialistëve, kanë struktura të veçanta të inspektimit sanitar për ujin e pijshëm dhe laboratorë përkatës ku kryhet analizimi i indekseve mikrobiologjike, fiziko-kimike (shija, era, ngjyra, turbulencat, amoniaku, nitritet, nitratet në ujë) dhe niveli i klorifikimit të ujit të pijshëm, sipas rekomandimeve të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndotja akustike
Monitorimi i zhurmave urbane u krye në 8 qytete, që përbëjnë mbi 30 për qind të popullsisë së Shqipërisë dhe kanë mbi 60 për qind të automjeteve në qarkullim. Sipas ISHP-së, nga krahasimi i grafikëve midis qyteteve në periudhat e ditës apo natës, shihen qartë se vlerat janë të përafërta dhe nuk kanë pësuar ndonjë rënie të ndjeshme me vitin paraardhës. Ndotja akustike në këto qytete është kontribut i një fluksi më të madh të automjeteve, sipas specialistëve që kanë kryer monitorimin. "Ky fluks është rrjedhojë dhe e amullisë së krijuar në kryqëzime nga sasia e madhe e automjeteve, mosfunksionimi i sinjalitikës në shumicën e nyjave, i lëvizjes së mjeteve të rënda mbi 10 ton (të cilat vështirësojnë qarkullimin dhe rrisin me 30 për qind nivelin e zhurmave). Edhe mungesa e vend-parkimeve është një tjetër faktor, i cili ndikon në rritjen e niveleve të ndotjes nga zhurmat",- pohojnë specialistët e ISHP-së.
Pamjaftueshmëria jodike, prevalenca rreth 60%
Pamjaftueshmëria e deficiencës jodike është një tjetër problem që dëmton shëndetin e shqiptarëve. Kështu ISHP-ja deklaron se, pavarësisht se ky problem ka ardhur duke u evituar nga viti në vit, përsëri mbetet shqetësuese pamjaftueshmëria e jodit. "Pamjaftueshmëria e deficiencës jodike në popullatën e vendit është 55.7% (shkallës së lehtë), një shifër që flet për një ulje të ndjeshme të pamjaftueshmërisë jodike krahasuar me vitin 1993 (93- 97% e shkallës së rëndë)", pohojnë specialistët e ISHP-së duke shtuar se ky është rezultati i studimit pas 13 vitesh, në të cilin tregohet se aktualisht rreth 60% e familjeve shqiptare përdorin kripë të jodizuar brenda standardit. Specialistët e ISHP, gjatë analizës vjetore të punës, vlerësuan se pamjaftueshmëria jodike është përmirësuar dukshëm. Pamjaftueshmëria jodike konsiderohet si një nga shkaqet më të mëdha të vonesës mentale. Nivelet e këtij mikroelementi në vendin tonë, janë të ulëta në ujin e pijshëm dhe në ushqime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›