E Diel, 1 Nëntor 2026

I vodhi telefonin zv.ministrit, kamerat zbulojnë adoleshentin

Policia e Tiranës arreston Marsel Gjonçajn, i cili akuzohet për vjedhjen e telefonit të zv.ministrit të Financave
TIRANË- Një adoleshent shfrytëzon mungesën e vëmendjes së zv/ministrit të Financave, për t'i vjedhur telefonin. Autori i këtij krimi nuk e dinte se cili ishte "shënjestra" e tij, fakt të cilin e ka mësuar vetëm në momentin që i janë shtrënguar prangat ndër duar. Ngjarja e cila ka për protagonist zv/ministrin e Financave, Sherefedin Shehu ndodhi rreth një muaj më parë, më 26 dhjetor të vitit 2007, kur atij i kanë vjedhur telefonin. Vjedhja u krye në sallën e lojërave te lokal "Tajvani", në qendër të Tiranës, kur sa hap e mbyll sytë, Shehut i është zhdukur telefoni tip-Nokia laptop. Menjëherë ai ka denoncuar vjedhjen në polici. Seksioni i vjedhjeve, pas hetimeve mundi të identifikonte autorin, i cili rezulton të jetë 17-vjeçari Marsel Gjoncaj, ndaj të cilit u mor masa e ndalimit ditën e djeshme.
Vjedhja
Zv/ministri i Financave, Sherefedin Shehu po konsumonte një kafe në shoqërinë e një miku të tij në lokalin "Taivani", ndërsa telefonin mësohet se e kishte vendosur në tavolinë. Brenda pak sekondash ai është zhdukur. Shumë pranë tavolinës ku ndodhej Shehu vërtitej 17-vjeçari Marsel Gjoncaj i cili i ka vënë "syrin" telefonit me dy ekrane që ndodhej mbi tavolinë. Pasi ka vëzhguar për disa momente të zotin e telefonit, 17-vjeçari ka shfrytëzuar çastin kur Shehu kishte shkëputur vëmendjen nga celulari për ta vjedhur atë me shpejtësi. Menjëherë pas vjedhjes, adoleshenti është zhdukur pa lënë gjurmë. Sapo ka konstatuar mungesën e telefonit, zv/ministri i Financave ka reaguar për ta gjetur, por më kot pasi dhe numri ishte i fikur. Kështu Shehu nuk ka hezituar të denoncojë vjedhjen në polici.
Policia
Salla e lojërave në të cilën ndodhej zv/ministri i Financave ku ndodhi vjedhja është e pajisur me kamera, gjë e cila ka ndihmuar policinë në identifikimin e autorit. Burime nga policia thanë se janë parë filmimet që kishin xhiruar kamerat në datën dhe orën kur ndodhi vjedhja. Sipas të njëjta burimeve, mësohet se kamerat kishin fiksuar momentin ku një djalë i ri iu afrua tavolinës së Shehut dhe rrëmbeu telefonin. Kështu kamerat u kanë servirur fizikun e adoleshentit, ndërsa policia punoi më pas në rrugë operative për ta identifikuar atë. Prokuroria urdhëroi ndalimin e 17-vjeçarit, ndërsa policia ditën e djeshme mundi të lokalizonte vendndodhjen e tij dhe më pas të kryente kapjen e Marsel Gjoncaj, ndaj të cilit rëndon akuza e "vjedhjes".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›