Patruesja dënohet me 3 vjet, vodhi shtëpinë
VENDIMI
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë dënoi me 3 vjet burg të pandehurën Vjollca Skacaj, 32 vjeçe, me banim në kryeqytet, nën akuzën e "vjedhjes" dhe "shkatërrimit të pronës me zjarr". Togat e zeza të kësaj gjykate vendosën të shpallin fajtore dhe të dënojnë me burg, 32-vjeçaren Skacaj për vjedhjen dhe dëmtimin me zjarr të një banese private, ku ajo ishte punësuar për pastrimin e saj. Ndërkohë, e pandehura përfitoi nga legjislacioni shqiptar, duke fituar nga aplikimi i gjykimit të shkurtuar. Sipas vendimit, e pandehura Skacaj u arrestua nga forcat e policisë së kryeqytetit në gusht të vitit të kaluar, për shkak se i vuri zjarrin me qëllim banesës private në rrugën e "Durrësit" në Tiranë, ku e pandehura punonte si pastruese. Nga hetimet e organit të akuzës, rezultoi se qëllimi i zjarrvënies ishte mbulimi i gjurmëve për vjedhjen e një sasie të konsiderueshme lekësh në këtë banesë. Sipas prokurorisë, e cila zbardhi skenarin e kësaj ngjarjeje, 32- vjeçarja Skacaj, duke përfituar nga mungesa e të zotëve të shtëpisë, vodhi 30 mijë lekë të reja dhe në mënyrë që të fshihte gjurmët i vuri flakën shtëpisë, duke djegur pajisjet dhe orenditë shtëpiake.