MASH nuk njeh fituesin e postit të Dekanit të Infermierisë
Sipas MASH-it dekani, Bare, e ka konsumuar një mandat 3-vjeçar. Bare: Nuk është e vërtetë, sulmi ndaj meje është politik
Zgjedhja e dekanit të Fakultetit të Infermierisë quhet e pavlefshme. Ky është vendimi i Ministrisë së Arsimit sipas së cilës, dekani aktual, Petrit Bare ka shkelur Rregulloren, pasi e kishte konsumuar një mandat 3-vjeçar por ka kandiduar sërish. Ndërsa Petrit Bare e ka mohuar në mënyrë kategorike akuzën e MASH-it duke e quajtura atë thjeshtë sulm politik ndaj tij. "Vetë Rregullorja e Ministrisë së Arsimit e thotë që drejtuesit aktualë, të cilët kanë kryer një mandat prej 3-vjetësh, nuk duhet të kandidojnë më. Unë, në fakt, si drejtues kam vetëm 2 vjet dhe 10 muaj",- thotë Bare duke shtuar se veprimi i Ministrisë së Arsimit, është i paligjshëm dhe aspak demokratik. Sipas tij, Infermieria para 3 vjetësh nuk ishte fakultet, por shkollë dhe posti i tij ka qenë Drejtor e jo dekan. Ndërsa, MASH, pretendimin e Bares e argumenton duke thënë se posti i drejtorit dhe i dekanit është i njëjtë. E rëndësishme është që, edhe dekani edhe drejtori kanë post drejtuesi ndaj nuk kanë ndryshme nga njëri-tjetri",- pohojnë burime të MASH-it. Ndërkohë Bare e ka cilësuar aspak normale që Ministria e Arsimit ka marrë vendimin për pezullimin e tij, pikërisht pas më shumë se 1 muaji kur paraqiti kandidimin. "Kam paraqitur kandidaturën për dekan të Infermierisë para 1 muaji dhe papritur, Ministria e Arsimit kujtohet tani që të mos njohë zgjedhjet",- pohon Bare duke shtuar se në zgjedhje ka fituar mbi 90 për qind të votave.