E Shtunë, 31 Tetor 2026

Breshëri plumbash pranë gjimnazit

Policia arreston njërin prej të implikuarve në ngjarje, Bekim Dobrushin ndërsa shpalli në kërkim shokun e tij
Sherri mes të rinjve, për një femër. Policia: protagonistët nuk ishin nxënës të shkollës "Aleks Buda"
TIRANË- Sherri për një femër degradon në breshëri armësh, duke rrezikuar jetën e dy të rinjve. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme, pranë ambienteve të shkollës së mesme "Aleks Buda" në Tiranë, kur 18-vjeçari Bekim Dobrushi ka debatuar me dy persona, të cilët i kanë ngacmuar të dashurën. Dobrushi i kërkoi ndihmë shokut të tij, Lumir Arifaj i cili rrëmben automatikun dhe qëllon tetë herë në ajër. Efektivat e komisariatit të policisë nr.2, të sinjalizuar për ngjarjen janë vënë menjëherë në lëvizje për të identifikuar dhe kapur personat. Burime nga policia thanë se pas hetimeve të para u bë i mundur identifikimi i dy personave, njëri prej të cilëve është arrestuar, ndërsa po punohet për zbulimin e dy të rinjve të tjerë.
Ngjarja
Të pozicionuar thuajse në pjesën më të madhe të kohës, pranë gjimnazit "Aleks Buda" në kryeqytet dy shokë, identiteti i të cilëve ende nuk dihet për policinë, i kanë vënë"syrin" një vajze e cila ndiqte vitin e parë në këtë gjimnaz. Mësohet se vajza ishte e dashura e 18-vjeçarit Bekim Dobrushi. Ky i fundit është vënë në dijeni për ngacmimin që i kanë bërë dy djemtë, të dashurës së tij dhe nuk ka ngurruar të debatojë me ta. Por i vetëm ai nuk ka mundur t'i bëjë "zap", ndaj duket se ka kërkuar ndihmën e shokut të tij Lumir Arifaj i cili njihet nga policia si kontigjent krimi. 18-vjeçari Arifaj nuk ka hezituar të ndihmojë shokun e tij. Ai ka shkuar në banesën e tij, ku ka rrëmbyer një automatik dhe u ka zënë pritë kundërshtarëve. Kështu, në aksin rrugor Tiranë–Durrës, Arifaj dhe Dobrushi u kanë zënë pritë dy djemve që guxuan të ngacmonin të dashurën e njërit prej tyre dhe kanë qëlluar me armë. "Shenjestrat" kanë shpëtuar paq nga plumbat e automatikut.
Policia
Forca të shumta të policisë zbarkuan menjëherë në adresën e dhënë nga dëshmitarët e ngjarjes. Burime nga policia thanë se pas sinjalizimit për të shtënat e armëve, nisën menjëherë hetimet për të zbardhur ngjarjen. Kështu, pas rreth dy orësh është bërë i mundur identifikimi dhe kapja e Bekim Dobrushit ndërsa është identifikuar shoku i tij, i cili ka qëlluar dhe me armë. Lumir Arifaj dyshohet të ketë qëlluar tetë herë me automatik dhe policia po punon për kapjen e tij. Ndërkohë që policia nuk ka mundur ende të identifikojë dy personat e tjerë me të cilët janë konfrontuar dy moshatarët. Këta të fundit akuzohen për veprat penale të "armëmbajtjes pa leje" dhe "prishje të qetësisë publike".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›