Humbet rreth 50% e energjisë, OSSH ua faturon qytetarëve
Nëse shqiptarët paguajnë shumë për konsumin e energjisë elektrike, kjo ndodh jo për faj të qytetarëve. Në rrjetin e shpërndarjes së energjisë rreth gjysma e sasisë së energjisë që hidhet në të, shpërdorohet, pra humbet dhe arrihet të faturohet nga OSSH-ja. Kjo ka bërë që OSSH si zgjidhje të gjejë faturimin e energjisë me çmim më të lartë. Faktin se një pjesë e madhe e sasisë së energjisë humbet në rrjet, e ka pohuar dje kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, i cili prezantoi në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, raportin e ERE për vitin 2009. Kreu i ERE-s pohoi para deputetëve se gjatë vitit 2009 ka humbur rreth 50% e energjisë, ku një pjesë është humbje e saj në rrjet dhe pjesa tjetër, ajo sasi energji që nuk arkëtohet nga faturimi i bërë. Sipas Nepravishtës, pikë kryesore është pikërisht ulja e nivelit të humbjeve, pasi këto të fundit bëhen shkak më pas për kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë. Nga 100 kWh, arkëtohen vetëm 50%. Sipas tij, shkak është fakti që humbjet prej 35.3% dhe niveli i arkëtimeve prej 76.4% gjatë 2009-ës janë tregues të një eficence shumë të ulët të konsumit të energjisë elektrike, e cila vlerësohet me 49.4%. Nga ana tjetër, ai e ka bërë prezent tek deputetët pakënaqësinë që ka ERE ndaj OSSH-së. Nepravishta bëri të ditur se pranë ERE-s janë paraqitur shumë ankesa nga qytetarët, lidhur me mbifaturimet e energjisë elektrike. ERE ka raportuar se furnizimi me energji ka qenë i pandërprerë gjatë vitit 2009, ndërkohë që është rritur shumë numri i kompanive private të futur si operatorë të prodhimit të energjisë në treg. Në 2009, ka arritur në 150 numri i aplikimeve për ndërtime HEC-esh dhe 90 kontrata koncensionare për ndërtimin e 231 HEC-eve me fuqi nga 1 deri në 150 MW secili. Lidhur me vënien në punë të TEC-it të Vlorës, Nepravishta tha se nuk mund të vihet në punë për shkak të kostos së lartë. Sipas tij, çdo vit ky TEC kërkon 250 milionë metër kub gaz në vit. Sipas Nepravishtës, kostoja e energjisë së prodhuar nga TEC-i i Vlorës është më i lartë se ai i energjisë që sigurohet nga importi.