Humbi Glover, fitoi Grosruk
E njëjta gjuhë, të njëjtat konkluzione. Si në 1992-shin, si në 2001-shin, 2005-n, 2007-n, apo dikur tjetër në trajektoren e çuditshme kohore të demokracisë shqiptare. Bashkësia ndërkombëtare e dha më në fund notën e saj për zgjedhjet e 28 qershorit me gojën e ODIHR-it. E bëri duke i dalë në krah, ashtu si në të gjitha rastet e mësipërme, atyre që kanë fituar zgjedhjet. Një ide komode adoptimi me situatën, e cila fiton mbi tendencën e evidentimit dhe të theksimit të anëve të errëta të procesit elektoral. Raporti i sapopublikuar na tregoi edhe njëherë, në rast se e kishim harruar, se Shqipëria dhe shqiptarët janë të destinuar të shihen në Perëndim si një popull dhe si një zonë gjeografike ku ideja e stabilitetit do t’i lërë edhe për shumë kohë mënjanë standardet dhe kërkesat që vendet demokratike kanë për administrimin e votës.
Këto zgjedhje s’kanë qenë si të tjerat nga pikëpamja aritmetike. ODIHR-i bën sikur s’e kupton këtë, duke servirur në raportin e tij të njëjtin metër gjykimi shabllon dhe thellësisht skematik, edhe në kushte tejet specifike, kur palët i ndan veçse një grusht votash. Është thënë dhe stërthënë këto muaj të nxehtë, se rezultati i 28 qershorit ishte unik dhe i papërsëritshëm në llojin e tij. Kur mes bllokut opozitar dhe atij qeveritar vendoset shenja e barazimit numerik (70 mandate secila palë), sa dhe si kanë influencuar problemet dhe defektet që nënvizon raporti, për ta anuar gjilpërën e peshores (dhe të pushtetit) nga njëra anë te tjetra?! Kjo duket pyetja delikate, të cilën raporti nuk e merr parasysh, duke u fshehur pas fotografimit formal dhe teknik të procesit zgjedhor.
Raporti final i zgjedhjeve na thotë se këto votime ishin më të mira se të mëparshmet. Një përcaktim i nënkuptuar qysh në krye të herës. Në një pikëpamje të përgjithshme, e cila lidhet me linjat e mëdha të organizimit dhe mbajtjes së një procesi zgjedhor, këto zgjedhje s’mund të ishin veçse më të mira se ato të mëparshmet. Mjafton të shohësh që u adoptua regjistri kombëtar i zgjedhësve dhe që votuesit u pajisën me letërnjoftime elektronike, për të kuptuar se procesi ishte qysh në fillim i destinuar për t’i tejkaluar standardet e zgjedhjeve të mëparshme, që bazoheshin mbi sistemin e dështuar të certifikatave. Në këtë aspekt, t’i krahasosh këto zgjedhje me ato paraardhëset, është njëlloj si të krahasosh trenat me avull me linjat e shpejtësive të mëdha.
Çështja e vërtetë që fshihet pas këtij kapërcimi real pozitiv është të shihet se a krijoi një qeverisje legjitime votimi në kushtet e reja? A i shmangu ai pretendimet për blerje, vjedhje dhe manipulim të votës? A janë shifrat që na dhanë këto zgjedhje fryti real i vullnetit të shqiptarëve? Në këtë pikë problemi merr formën e një rrethi vicioz, pasi akuzat e opozitës (të djathtë dhe të majtë) ndaj qeverisë konsistonin në faktin se vetë ndryshimet pozitive që u kryen në infrastrukturën zgjedhore në muajt e fundit, u përdorën nga PD-ja dhe Berisha për të manipuluar nën rrogoz rezultatin. Mjafton të kujtohen rastet e shtetasve që shkonin për të votuar dhe që mësonin se kishin votuar një herë, ose akuzat për shpërndarje kartash identiteti jashtë sistemit.
Nëse e shohim kështu, raporti i ODIHR-it që marrim në dorë është ai që ka qenë. Pra, një dokument kompromisi, ku standardet vlejnë vetëm relativisht dhe ku ideja e stabilitetit me çdo kusht duket si qëllimi kryesor dhe i vetëm. Pra, më mirë me standarde të munguara, por me qeverisje stabël, sesa e kundërta. Një qëndrim i dyzuar dhe një ide e vjetër, të dyja të dëmshme për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Teksti i raportit që sapo ka parë dritën e publikimit është një ushtrim perfekt ekuilibri dhe kompromisi nga ata që dinë të bëjnë vetëm organizmat e mëdha ndërkombëtarë. I gjen aty të gjitha, edhe vërejtjet për përdorimin e administratës dhe nxënësve në mitingjet e qeverisë, edhe manipulimin me përurimet e veprave të infrastrukturës, edhe kërcënimet për heqje nga puna. Por gjen edhe përcaktime ngjyrë rozë, që të thonë se në përgjithësi punët shkuan mirë dhe se nuk u regjistruan probleme. Mjafton të shohësh dyzimin e çuditshëm që të ofron raporti, mes përcaktimit se “në 22 nga 66 qendrat e numërimit të votave, procesi i numërimit u përcaktua si i keq apo shumë i keq” dhe frazës pasardhëse se “nuk pati prova për numërime të parregullta apo për manipulime”. Ky lloj baleti i vështirë dhe madje i shëmtuar, është kontributi më i keq që OSBE-ja dhe ODIHR-i mund të japin për vijimësinë e klimës politike në Shqipëri, sepse formulime të tilla ambigue dhe të mjegullta krijojnë amulli dhe kaos, më shumë sesa sjellin elemente racionale për të gjykuar për zgjedhjet e 28 qershorit.
Nga ana tjetër, të falënderosh Ministrinë e Jashtme dhe KQZ-në për mikpritjen dhe ndihmën e dhënë ndaj misionit të OSBE-ODIHR-it është natyrisht një formulë e gatshme mirësjelljeje që e gjen në të gjitha dokumentet e këtij lloji. Por, ama, ajo që ka ndodhur pikërisht me këto dy institucione të shtetit shqiptar, kur u përpoqën zyrtarisht dhe hapur që të largonin kreun e misionit vëzhgues, është diçka që nuk e gjen as në dokumentet dhe as në precedentët elektoralë të OSBE-së. Të paktën jo në këtë pjesë të botës dhe jo në Shqipëri, qysh nga mbajtja e zgjedhjeve të para pluraliste.
Në bazë të raportit final të OSBE-ODIHR-it, zgjedhjet e qershorit ishin edhe të mira, edhe të këqija, edhe të numëruara keq, edhe të pamanipuluara, edhe të dominuara nga përdorimi i pushtetit qendror dhe i parasë publike, edhe të ndershme. Si të thuash për shembull, se një supë me lëng mishi është shumë e mirë, edhe pse i ke hedhur brenda një lugë vajguri. Duke i hedhur një sy tekstit të raportit nuk mund të mos vëresh se në luftën e padukshme mes atyre që kanë pasur (dhe ndoshta kanë sërish) rezerva mbi sinqeritetin dhe transparencën e kryeministrit aktual dhe atyre që këtë të fundit e konsiderojnë si një mik që duhet ndihmuar dhe mbështetur me çdo mjet, fituan këta të dytët. Si të thuash se në hartimin e faturës finale të zgjedhjeve shqiptare humbi Glover, britanikja që Berisha deshi ta përzinte dhe fitoi Grosruk, babaxhani austriak që ende mendon se votimet e vitit 1996 ishin perfekte.
Skënder Minxhozi
15 Shtator 2009