Kush do të japë drejtësi për Zamira Durdën?
“Im bir sot duhej të shkonte në klasën e tretë, por ai u vra pafajsisht në Gërdec”. Këto qenë fjalët e thëna mes lotësh nga Zamira Durda, teksa shihte vogëlushët e tjerë të shkonin në shkollë të gëzuar. Ditën e djeshme ajo mori rrugën për të shkuar në Gjykatën e Lartë, me shpresën se do të gjente drejtësi në emër të tre njerëzve të dashur që nuk jetojnë më që prej 15 marsit të vitit 2008.
Por, apeli i saj mori një përgjigje therëse, të dhimbshme, mbase si 18 muaj më parë, ende pa u dhënë vendimi në sallën e gjyqit për një nga të akuzuarit kryesorë të tragjedisë së Gërdecit. Kur togat e zeza nuk ishin bërë gati për t’u ngritur në këmbë dhe për të dhënë vendimin e ftohtë poshtë peshores së rëndë të Drejtësisë, fjalë nën zë pëshpëritnin në sallë se kreu i shtetit ka dekretuar ministër në kabinetin e ri qeveritar pikërisht personin për të cilin pritej të jepej vendimi. Ky mesazh, me siguri, i ka prerë në fytyrë ata që paguhen për të dhënë drejtësi, apo edhe ata që luftojnë për të sjellë prova për Drejtësinë. Ata janë ndjerë më të dobët se asnjëherë tjetër në karrierën e tyre, më të pavlerë, më të turpëruar dhe më mëkate. Ata kanë marrë mbi supe atë që ndoshta do t’iu rëndojë gjithë jetën. I gjithë ky gur i rëndë u vendos para tavolinës ku do të vendosej drejtësia, jo për atë që ata do të jepnin, por për atë që kishin frikë për të dhënë. Thashethemet për hijen e veshur me imunitet pak çaste më parë ishin më të rënda se kandari i Drejtësisë tonë të lodhur dhe të shqyer rrugës. I akuzuari, qytetar i zakonshëm, deri para dhënies së vendimit, u vesh shpejt e shpejt me pushtet, pa pritur të lajë duart me Drejtësinë. Këtë ankth përjetoi në ajër jo vetëm Zamira e shkretë, por secili person që ishte brenda dhe jashtë asaj salle. Çdokush që ia merr ditët e bukura të jetës kalvari para dyerve të gjykatave për të marrë pronën e tij, mundin e tij. Secili që vritet dhe dhunohet nga dora e krimit nën hundët e shtetit.
Dita e djeshme shënoi një nga tronditjet kritike për ata që u ka mbetur pak shpresë te Drejtësia. Jo se besonte ndokush se ministri i akuzuar do të shpallej fajtor, siç ndodh rëndom në vendet me drejtësi të hekurt. Mbase mund të jetë i pafajshëm.
Dita e djeshme harroi shpagimin e Zamirës. “Nuk ia fal Mediut, a kujtdo qoftë, humbjen e tri viktimave në shtëpinë time. Do të kaloj në vetëgjyqësi, do të bëhem kamikaze”. Kjo është rrugëzgjidhja që po na jep çdo ditë Drejtësia.
15 Shtator 2009