PS: Vendimi nuk e bën dot të pafajshëm Fatmir Mediun
Partia Socialiste ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Lartë lidhur me çështjen “Gërdeci”. Deputeti socialist, Saimir Tahiri, tha se ky vendim nuk do ta bëjë dot kurrë të pafajshëm Fatmir Mediun. “Ky vendim nuk do ta bëjë kurrë të pafajshëm Fatmir Mediun dhe shefat e tij, por vetëm do të pezullojë përkohësisht dhënien e drejtësisë që familjarët e viktimave dhe publiku shqiptar presin prej kohësh. Ajo mund të vonojë, por kurrë nuk do të fshihet e harrohet në sirtarët e kalbur të një sistemi që çalon tërësisht, apo pas imunitetit parlamentar të kujtdo qoftë”, - tha Tahiri. Ai nënvizoi se Partia Socialiste nxit institucionet përkatëse të vazhdojnë përpjekjet ligjore për të materializuar çdo iniciativë që lejon legjislacioni në fuqi për të zhveshur edhe një herë Fatmir Mediun nga imuniteti parlamentar dhe për t’i dhënë rrugë veprimit ligjor që do të nxjerrin përgjegjësitë përkatëse dhe dënimin maksimal për fajtorët.
15 Shtator 2009