E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i klandestinëve shqiptarë, hetim ndërkombëtar organizatës ballkanike

Policia serbe dhe ajo italiane zbulojnë një nga linjat e trafikut të klandestinëve. Dy shtetas boshnjakë akuzohen si drejtues të rrjetit ndërkombëtar

Një aksion i Policisë serbe, në bashkëpunim me autoritetet italiane, ka vënë në pranga dy shtetas boshnjakë, të cilët akuzohen si drejtues të një rrjeti të organizimit të trafikut të qenieve njerëzore. Arrestimi i këtyre dy drejtuesve të grupit, sipas mediave italiane, është kryer pasi policitë respektive kanë zbuluar disa muaj më parë se dy shtetasit boshnjakë qëndronin në krye të një organizate ndërkombëtare të trafikut të klandestinëve shqiptarë nga Shqipëria drejt Italisë. Shkak për këtë aksion shërbeu një veprim rastësor i autoriteteve serbe disa muaj më parë, ku në afërsi të kufirit me Bosnjën u ndaluan pesë shtetas shqiptarë në një autoveturë, tre prej të cilëve ishin minorenë. Gjatë marrjes në pyetje shtetasit shqiptarë deklaruan se ishin nisur drejt Italisë pa dokumente. Në këtë moment, autoritetet serbe, në bashkëpunim me ato italiane, kanë kontaktuar njëra-tjetrën dhe janë vënë në ndjekje të organizatorëve të këtij trafiku që destinacion final kishte shtetin italian. Vetëm dje, dy prej krerëve boshnjakë të kësaj organizate ranë në pranga, ndërsa përgjimet telefonike, pamjet filmike dhe një sasi e konsiderueshme parash do të jenë provat kundër tyre.
Trafiku
Disa prej klandestinëve të ndaluar dhe që kanë paguar këtë organizatë për transportimin e tyre në Itali, kanë pohuar se ishin nisur ilegalisht në Itali për të mbërritur te të afërmit e tyre. Sipas dëshmive të tyre, ata fillimisht kanë kaluar më këmbë kufirin Shqipëri-Mal i Zi, ndërsa më tej trafikantët malazezë i kanë drejtuar dhe shoqëruar ata drejt kufirit me Serbinë, ndërsa edhe kufirin serb ata e kanë kaluar më këmbë. Me të mbërritur në Serbi klandestinët janë hipur nëpër autovetura dhe kanë ndjekur itinerarin Serbi-Bosnjë-Kroaci-Slloveni e më pas në Itali. Mediat italiane raportonin dje se dy shtetasit boshnjakë të arrestuar si dy prej drejtuesve të këtij trafiku do të merren në pyetje për të siguruar të dhëna të mëtejshme në lidhje me zyrtarët e shteteve respektive që i krijonin lehtësira organizatës për këtë trafik. Deri tani dy shtetasit boshnjakë të akuzuar si drejtues të kësaj organizate nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë me autoritetet policore.
Linja
Autoritetet policore italiane kanë rritur në mënyrë të ndjeshme vitet e fundit vigjilencën ndaj linjës së trafikut klandestin të shqiptarëve nëpërmjet linjës “malazeze”. Në disa raporte policore të këtij shteti, kjo linjë përmendet si më e madhja që pas vitit 2004, kur thuajse u shua transporti me mjete ilegale detare i klandestinëve shqiptarë drejt Italisë. Sipas autoriteteve italiane, linja “malazeze” dhe ajo “greke” janë linjat më të mëdha të eksportimit të klandestinëve shqiptarë drejt vendit fqinj. Vetë klandestinët shqiptarë kanë deklaruar para autoriteteve italiane se pas kontaktit me anëtarët e organizatës së trafikut ata kanë paguar një paradhënie që para nisjes, ndërsa pjesa tjetër e pagesës kryhej tek personi i kontaktit vetëm pasi klienti, pra klandestini, telefononte të afërmit e vet pas mbërritjes në Itali. Klandestinët shqiptarë që u konstatuan si klientë të kësaj organizate kriminale janë shprehur se totali i shërbimit që ofronte organizata shkonte deri në 3 mijë e 500 euro pagesë.

Trafiku i klandestinëve, dënimet e dhëna në 4 vitet e fundit

- Në vitin 2005, gjykatat kanë gjykuar 40 dosje të trafikut të klandestinëve, nga të cilat në 26 raste janë aplikuar dënime që variojnë nga 10 deri në 25 vjet burgim dhe në 1 rast është dhënë dënimi maksimal - burgim i përjetshëm.

- Në vitin 2006 evidentohet një rënie, por kjo figurë krimi është përsëri ndër më të lartat, me 23 raste dënimi, nga të cilat për 12 raste janë aplikuar masa dënimi nga 10 deri në 25 vjet burgim.

- Në vitin 2007 rezulton se janë dënuar 10 raste për këtë figurë vepre penale, në 3 raste prej të cilave janë aplikuar masa dënimi nga 10 deri në 25 vjet burgim.

- Në vitin 2008 janë dënuar 15 raste, në 9 prej të cilave janë aplikuar masa dënimi nga 10 deri në 25 vjet burgim.

15 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›