Europoli: Trafiku i klandestinëve, Shqipëria vend eksportues dhe transit
Disa muaj më parë, Europoli, agjencia e specializuar e Bashkimit Europian në luftën kundër krimit, publikoi rrjetet kryesore të trafikut klandestin. Rrjeti i vendeve të Ballkanit renditet në një ndër të parat rrjete të këtij lloj trafiku në rang global. Sipas ekspertëve të Europolit, aktualisht rrjeti që ka fluksin më të madh nis në Afrikën Veriore dhe bregdetin e Atlantikut në Afrikën Perëndimore, duke hyrë në vendet e BE-së përmes Italisë, Spanjës dhe Maltës. E dyta është linja mesdhetare lindore me objektiv primar Greqinë, duke përdorur Turqinë dhe vendet e Lindjes së Mesme si vende transite. Linja e tretë është rrjeti ballkanik, i cili përdor vendet e Ballkanit Perëndimor si territore transite me objektiv vendet fqinje të BE-së, si Greqia, Italia, Sllovenia, Austria, Bullgaria, Rumania dhe Hungaria. Ndërsa linja e katërt e trafikut klandestin është ajo europianolindore dhe qendrore, e përdorur nga shtetet e ish-republikave të Bashkimit Sovjetik, ku emigrantët ilegalë futen në vendet fqinje të BE-së si Polonia, Çekia, Sllovenia, Hungaria, Bullgaria dhe Rumania. Ekspertët konstatojnë se zgjerimi i Bashkimit Europian ka shtuar edhe rrjetet e trafiqeve të klandestinëve. Agjentët e Europolit konstatojnë edhe një rrjet tjetër të krijuar së fundi, i njohur si linja baltike, ku shtetas të republikave të ish-Bashkimit Sovjetik hyjnë në territoret e shteteve skandinave. Shqipëria është një ndër pikat transite që përdoret nga klandestinët për të kaluar drejt Perëndimit ose nga Mali i Zi, ose nga Jugu i Greqisë. Disa raste sporadike të zbuluara së fundi flet se ka të dhëna për një rigjallërim të linjave të dikurshme të trafiqeve të qenieve njerëzore dhe drogës përmes detit Adriatik drejt Italisë. Vetëm në dy muajt e fundit autoritetet italiane kanë sinjalizuar dhe kanë kapur dy ngarkesa me drogë nëpërmjet linjave ilegale detare.
15 Shtator 2009