E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humbja-fitore e Elvir Muriqit, tani i 14-ti në botë

Duket e pabesueshme por është e vërtetë. Megjithë humbjen e padrejtë që pësoi nga Antonio Tarver, Elvir Muriqi dhe adhuruesit e tij shqiptarë mund t'i gëzohen të paktën faktit se kjo "humbje" në fakt ka qenë "fitore" për të në renditjen botërore të boksierëve të kategorisë gjysmë të rëndë.
Përballja e zhvilluar të shtunën në "Connecticut Convention Center" të qytetit Hartford në Shtetet e Bashkuara, zemra e madhe, vendosmëria si dhe aftësitë e tij prej një boksieri të klasit të lartë kanë bërë që Elvir "Kosova Kid" Muriqi të ngjitet për 26 vende në renditjen botërore të boksierëve më të mirë të kategorisë gjysmë të rëndë, ku tani është i 14-ti, duke lënë prapa emra të njohur të kësaj kategorie si Julio Cesar Gonzalez, Silvio Branco, etj. Ndërkohë që në renditjen e boksierëve evropianë ai tashmë renditet në pozitën e 7-të.
Dhe për t'i bërë edhe më bindëse akuzat e Muriqit për gjykimin në përballjen e së shtunës duhet përmendur edhe fakti se pavarësisht se ka shënuar fitore, amerikani Tarver ka pësuar rënie duke zbritur në pozitën e 4-të nga vendi i 2-të ku pozicionohej para përballjes me Muriqin.
Renditja në mesin e 14 më të mirëve të botës Muriqit mund t'i sjellë shumë shpejt një tjetër luftë për titullin e kampionit të botës madje edhe në katër versionet më të rëndësishme të ringut profesionist.

Liridon Iberdemaj

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›