Muriqi humbet me pikë, ankohet në gjykim

Elvir Muriqi është mposhtur nga Antonio Tarver në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në Hartford të SHBA-së e vlefshme për titullin e kampionit të botës në versionin IBO. Mediat amerikane e përshkruajnë si një ndeshje shumë të fortë përballjen që është mbyllur me vendimin e gjyqtarëve që i kanë dhënë fitoren amerikanit 38-vjecar por që gjithsesi nuk ka qenë unanime. Rezultati 114:114, 115:113, dhe 116:112 tregon më së miri sesa e ngushtë ka qenë lufta, ndërkohë që pas përfundimit të duelit boksieri shqiptar është ankuar për padrejtësi nga ana e gjyqtarëve, gjë që është parë të ndodhë shpesh sidomos nga boksierëve që nuk konsiderohen "superyje".
Sipas asaj që raportojnë mediat amerikane "Kosova Kid" ka ngritur duart lart pas përballjes duke thënë: "Ai nuk më ka rrahur. E kam fituar luftën". Pavarësisht kësaj gjyqtarët nuk kanë menduar të njejtën gjë duke i dhënë fitoren atij që ishte konsideruar favorit për këtë përballje dhe që konsiderohet si boksieri numër një në botë i kategorisë gjysmë të rëndë.
Kjo është humbja e katërt e Elvir Muriqit në karrierën e tij si profesionist gjatë së cilës ai ka shënuar 34 fitore, prej të cilave 21 me "knockout". Muriqi mund të ketë humbur një luftë me rezultat të ngushtë por pavarësisht kësaj ai ka fituar miliona adhurues me paraqitjen e bërë përballë Tarverit me zemrën e tij të madhe dhe këmbënguljen.
Nëse amerikanit Antonio Tarver, njëri prej boksierëve më të mirë të kategorisë gjysmë të rëndë i të gjitha kohërave i është dashur edhe ndihma e gjyqtarëve atëherë është mëse e sigurtë se fitimi i titullit të kampionit të botës për 28-vjecarin Muriqi është vetëm cështje kohe.