“Kosova Kid” kërkon “rematch”

Menjëherë pas humbjes së kontestuar me të drejtë ndaj amerikanit Antonio Tarver për titullin e kampionit të botës në versionin IBO për kategorinë gjysmë të rëndë, boksieri shqiptar Elvir Muriqi ka kërkuar një tjetër përballje ndaj Tarverit, të cilin është i bindur se e ka "mposhtur" dhe që mund ta mposht në një "rematch".
Në një intervistë të shkurtër pas përfundimit të duelit "Kosova Kid" me të drejtë ka kërkuar "rematch" duke deklaruar se "e gjithë bota e di se unë e kam fituar këtë luftë".
Dhe për të vërtetuar fjalët e Muriqit se fitorja e Tarverit ka qenë e pamerituar vjen komenti i gazetarit amerikan Michael Woods që në raportin e tij të duelit për mediumin në internet "The Sweet Science" e ka quajtur Tarverin "fitues" (në thonjëza), ndërsa për Muriqin ka komentuar se "me të drejtë nuk mund të quhet ‘humbësi' i luftës". Në fakt Woods në "hesap" të tij të pikëve e kishte shpallur Muriqin fitues me rezultatin 115:113, por gjyqtarët kishin menduar ndryshe.
Amerikani Antonio Tarver nuk ka dhënë akoma asnjë koment për mundësinë e një "rematch"-i me Muriqin, por një gjë e tillë duket e vështirë të ndodhë, të paktën së shpejti, pasi Tarver nuk do të dëshironte që të futej mes litarëve edhe një herë përballë boksierit shqiptar.