Humbja me Shqipërinë zhyt Irlandën e Veriut në krizë
Zemërim i madh mbulon irlandezoveriorët pas humbjes 1-0 në miqësoren me Shqipërinë në Tiranë ka. Më të irrtuarit u shfaqën fansat e kësaj skuadre, një pjesë prej të cilëve e kishin ndjekur atë deri në “Qemal Stafa”, por nuk mungojnë zëra të zhgënjyer edhe mes drejtuesve të Federatës Irlandeze apo edhe vetë lojtarët e kombëtares. Shtypi vendas i ka kryqëzuar lojtarët dhe ka tronditur themelet e besimit ndaj punës dhe vlerave të trajnerit Najxhël Uorthington. Mes të zhgënjyerve ishte edhe sulmuesi i kësaj skuadre, Dejvid Hejli, i cili luan tek Ibsiuç Taun, ku u transferua nga Sandërlendi i Lorik Canës. “Unë e di se ka disa njerëz që mendoja se futbollistëve të Irlandës së Veriut as nuk u interesonte rezultati ndaj Shqipërisë. Më besoni mua se nuk është e vërtetë kjo, edhe pse unë jam përzitur aq shumë sa pas disa humbjeve në eliminatoret e Botërorit 2010. Kjo për shkak se prodhuam një tjetër performancë të dobët në transfertë”, bëri të ditur dje Hejli. Më pas sulmuesi i ka hyrë një analize të mirëfilltë të ndeshjes, duke shpjeguar në detaje shkaqet e këtij dështimi të tyre ndaj kuqezinjve. “Nuk e qarkulluam mirë topin, nuk u mbrojtëm mirë dhe nuk krijuam asnjë mundësi për të shënuar, u shpreh Hejli. Ishte një natë e keqe, shumë e keqe. Në veçanti pjesa e parë ishte e tmerrshme për ne. Në të dytën e morëm veten, por ishte e pamjaftueshme”. Për ish-sulmuesin e Sandërlendit, fusha e “Qemal Stafës” ishte në një gjendje vërtet të mjerueshme, por ky nuk duhet të jetë një justifikim për Irlandën e Veriut e cila bëri një lojë të tmerrshme. “Unë mund të rreshtoj një mori arsyesh, si fakti që fusha ishte shumë e keqe, por kjo nuk duhet të mbulojë paraqitjet tona nën nivelin e duhur, sqaroi 30-vjeçari. Pas pesë apo dhjetë vitesh askush nuk do të kujtohet për fushën e keqe. Ata do të shohin në rezultatin 1-0 për Shqipërinë dhe thonë se ky ishte një rezultat i tmerrshëm për Irlandën e Veriut dhe do të kenë të drejtë. Përfundimisht paraqitja jonë ishte shumë e dobët dhe fusha nuk duhet të jetë një justifikim”. Ndërkohë që fansat e kanë konsideruar një dështim total këtë humbje dhe kërkojnë një kthesë të shpejtë.
#