E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur paratë nuk sigurojnë suksesin

Jo gjithmonë ata që shpenzojnë sigurojnë kualitet. Mançester Junajtid dhe Liverpuli paguan së bashku 62 milionë euro gjatë verës për të afruar në skuadër dy "flluska sapuni". Në fakt, Berbatov dhe Robi Kin, në këtë fillim sezoni të Premiershipit, nuk kanë arritur ta përshëndesin asnjëherë rrjetën. E përbashkëta e këtyre dy lojtarëve është se në të kaluarën, kur luanin me Totenhemin, ata ishin të lumtur. Në listën e futbollistëve që kanë rezultuar zhgënjime absolute futet edhe Kaseres (mbrojtësi uruguaian i Barcelonës, për të cilin u paguan 16.5 milionë euro për vetëm 99 minuta në fushë), Miralem Sulejmani (sulmuesi me të cilin Ajaksi mendoi se gjeti Van Bastenin e ri: 1 gol në debutim dhe më pas roli si rezervë, janë paguar 16.25 milionë euro) dhe Milner (Aston Vila i pagoi Njukasëllit 15 milionë euro për një mesfushor që vazhdon të cilësohet si rezervë). Në këtë grup hyn edhe talenti francez, Samir Nasri, i cili i kushtoi Arsenalit 16 milionë euro. Ish-lojtari i Marsejës e nisi me "zhurmë" sezonin, duke shënuar një gol deciziv, por me kalimin e ndeshjeve u shua. Për momentin, në Premiership ka luajtur vetëm 3 ndeshje. Pas tij vjen një tjetër lojtar i mirënjohur, Aleksandër Hleb, që nuk po luan për shkak të një dëmtimi në kavilje: Bjellorusi i kushtoi plotë 15 milionë euro Barcelonës. Ndërkohë, ekziston edhe çështja "Totenhem", e cila natyrisht është më komplekse. Edhe pse janë një ndër klubet që shpenzojnë më shumë në Premiership, në merkato afruan Modriç, Pavliçenkon, Xhovanin e Bentlin për 66 milionë e 400 mijë euro, skuadra e Huande Ramos renditet e fundit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›