E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hungari, fitore e thellë e të djathtëve konservatorë



Pas tetë vjetësh, socialistët hungarezë duhet t'ia dorëzojnë qeverinë partisë së djathtë konservatore Fidesz. Në raundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare ajo siguroi më shumë se dy të tretat e mandateve. Kjo ishte një fitore e qartë për aleancën e djathtë konservatore të demokratëve të rinj, që jo vetëm fitoi shumicën në raundin e dytë zgjedhor, por siguroi madje vende të mjaftueshme në parlament dhe është në gjendje të realizojë ndryshime në kushtetutë, pa nevojën e mbështetjes së partive të tjera. Në parlamentin me 386 vende do të kishin mjaftuar 258 mandate për shumicën e dy të tretave të nevojshme për ndryshimin e kushtetutës. Shumë shpejt në mbrëmjen e votimeve u pa se demokratët e rinj të Viktor Orbanit do ta kapërcenin këtë prag. Pas numërimit të thuajse të gjitha votave partia “Fidesz” arriti të sigurojë gjithsej 263 mandate, siç njoftoi komisioni i zgjedhjeve. Humbje të mëdha pësuan nga ana tjetër socialistët qeverisës. Në parlamentin e ri ata siguruan vetëm 59 mandate dhe pas tetë vjetësh qeverisjeje duhet të kalojnë në opozitë. Kryetarja e partisë Socialiste Hungareze (MSZP), Ildiko Lendvai, dhe presidiumi ofruan menjëherë dorëheqjen pas shuplakës, që morën me humbjen e zgjedhjeve.

Itali
Berluskoni-Putin, marrëveshje për energjinë bërthamore

Kryeministri rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij italian Silvio Berluskoni kanë nënshkruar një marrëveshje për energjinë bërthamore. Sipas Berluskonit, kjo arritje do të ndryshojë skenarët për energjinë e gjeneratës së re. Marrëveshja parashikon kërkime të studiuesve italianë dhe rusë, me qëllim arritjen e rezultateve të sigurta dhe të rëndësishme. Putin ka siguruar se Rusia është e gatshme të sigurojë financime të mjaftueshme për ndërtimin e stacioneve bërthamore në Itali.

SHBA
Arrestohet një i armatosur në aeroport

Autoritetet amerikane kanë arrestuar një 23-vjeçar të armatosur në aeroportin Ashville në shtetin e Karolinës Veriore, nga ku është dashur të fluturonte aeroplani i presidentit amerikan Barak Obama. Agjencia e lajmeve “AP” citon shefin e policisë së aeroportit, Kevin Smith, të ketë thënë se policia e ka kapur 23-vjeçarin teksa po dilte nga automjeti në parking, ndërsa ai aktualisht mbahet në paraburgim. Incidenti ka ndodhur të dielën pasdite, sipas kohës lokale dhe ende nuk janë bërë publike, detaje të tjera rreth incidentit.

Bangkok
11 të lënduar nga shpërthimi i bombës

Nga shpërthimi i një bombe në afërsi të rezidencës së ish-kryeministrit tajlandez, Banharn Silapa-Archa, një aleati me ndikim të koalicionit aktual qeverisës, janë lënduar 11 persona.
Sulmues të panjohur në motoçikletë kanë hedhur bombën në ndërtesën e rezidencës, por e kanë qëlluar shënjestrën dhe kanë ikur, e në mesin e të lënduarve janë kalimtarët e rastit dhe tre policë të sigurimit, njoftojmë mediet botërore. Edhe një sulm me bomba, por pa pasoja në njerëz, është kryer në stacionin policor në qytetit Chiang Mai.

27 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›