Televizioni Shqiptar, një histori plot peripeci
Skifter Këlliçi
…Kjo ka ndodhur vite e vite me parë kur nuk isha me shume se pesë vjeç. Atëherë mësova se ç'ishte radioja dhe duke dëgjuar zëra që dilnin nga ajo kuti, e cila me dukej magjike, kisha dëshirë që edhe të shihja se kush ishin ata të vegjël, të vegjël, që mbase fshiheshin brenda saj...
Por, kaluan vite dhe në kapitullin e optikës, të librit të fizikës që bënim në vitin e fundit të gjimnazit, ne, nxënësit u njohëm pas teleskopit e mikroskopit edhe me televizionin, që ishte asokohe një nga shpikjet më të mahnitshme të njerëzimit. Aty mësova se kishte tashmë aparate nga ku, jo vetëm mund të dëgjoje zëra njerëzish, por edhe t'i shihje ata. Dhe ja, ishte një ditë pranvere e vitit 1958. Një grup studentësh të vitit të fundit të Fakultetit Histori -Filologji të Universitetit të Tiranës, ku bëja pjesë edhe unë, shkuam të vizitonim "Ekspozitën e sukseseve të Republikës Socialiste të Çekosllovakisë", e cila ishte hapur pranë stadiumit Kombëtar "Qemal Stafa". Dhe merreni me mend çudinë tonë, kur me t'u futur në sallën e madhe të kësaj ekspozite, mbetëm të shtangur, kur nga një ekran i vogël, i vendosur në hyrje, pamë veten tonë. Qeshnim ne; bënim shenja me dorë dhe nga ekrani vërenim të njëjtat lëvizje. Diku me tutje ishte një kamera, si ato që kishim parë në supet e operatorëve të Kinostudios, syri magjik i së cilës thithte pamjet tona dhe ia përcillte ekranit. Më së fundi, unë u njoha me televizionin dhe ato aparate që quheshin televizorë e që, siç flitej, së shpejti do të bëheshin edhe pronë e shqiptarëve. Kjo u bë edhe më e qartë kur në vitrinat e MAPO-s së Tiranës u panë televizorët e parë të markave sovjetike; "Rekord" dhe "Rubin" e ato çekë e hungarezë, "Tesla" dhe "Orion".
Hapat e parë në TVSH
Fati e solli që unë, me dëshirën time, të filloja të punoja gazetar në Radio Tirana, duke sendërtuar një ëndërr të kahershme. Kjo ndodhi në verën e vitit 1959. Dhe që atëherë u fol se po bëheshin përpjekje që edhe Shqipëria të kishte televizionin e vet. Në fakt, kështu ishte. Shumë vite më vonë, kur nisa të shkruaja "Historinë e RTVSH-së, "1938-1990)", hasa në një dokument që shënon zanafillën e televizionit të ardhshëm shqiptar. Është fjala për një letër që Petro Kito, drejtori i Radio Tiranës së asaj periudhe, i drejtonte presidentit të Komitetit të radios çekosllovake, Frantishek Novaçek. Në këtë letër, pasi vihet në dukje se në vendet rreth Shqipërisë, si në Itali, Greqi, Jugosllavi, janë ngritur, ose po ngrihen stacione televizive, theksohet: "Duke u nisur nga të gjitha këto arsye, Drejtoria e Radiodifuzionit Shqiptar vendosi t'u drejtohej vendeve mike më të zhvilluara, si Bashkimi Sovjetik, Çekosllovakia, RD Gjermane për të na ndihmuar që me rastin e 15-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, që do të festohej më 29 nëntor 1959, të ngremë një qendër të vogël eksperientale të TV-së në Tiranë. Me anë të kësaj qendre, ne mendojmë të organizojmë 2-3 herë në javë programe të thjeshta dhe shfaqje filmash. Kjo do të ndihmojë për përgatitjen e kuadrit lidhur me perspektivën e ngritjes së qendrës definitive të Televizionit Shqiptar e zhvillimin e tij". (Dosja Nr. 4, Fondi i RTVSH-së, Arkivi i Shtetit).
Pikërisht në këtë kohë unë kisha disa muaj që kisha nisur të punoja në Radio. Por, ndonëse u fol për këtë kërkesë drejtuar Komitetit të Radios Çeke, gjithçka mbeti në heshtje. Por, nga fillimi i vitit 60, sipas dokumenteve të ruajtura në Arkivin e Shtetit, Drejtoria e Radiodifuzionit Shqiptar, në bashkëpunim me Drejtorinë e Kinostudios "Shqipëria e Re", i paraqiti qeverisë një relacion, ku midis të tjerash, thuhej: "Në bazë të porosisë së Agitprpoprit, në mbledhjen e përbashkët të Drejtorisë së Radiodifizionit dhe Kinostudios "Shqipëria e Re", u studiua edhe çështja e organizimit të qendrës eksperimentale të Televizionit..." (Po aty...). Më poshtë, theksohej se kjo qendër mund të ngrihej duke shfrytëzuar edhe pajisjet e Kinostudios gjatë kohës kur ato nuk ishin në shfrytëzim.
Këtë radhë qeveritë e vendeve socialiste, me sa duket, u vunë në lëvizje, sepse brenda një periudhe të shkurtër ndodhen të papritura, siç del dhe nga një relacion tjetër, me titull: "Mbi krijimin e Qendrës Eksperimentale të Televizionit", që mban datën 15.3.1960 që Drejtoria e Radiodifuzionit i dërgoi Drejtorisë së Agitproprit, ku ndër të tjera, vihej në dukje: "Aparaturat e Qendrës Eksperimentale të TV-së që do të ngrihet në Tiranë, është dhuruar nga Bashkimi Sovjetik, Republika Çekosllovake, RD Gjermane, sipas kërkesave të Drejtorisë së Radiodifuzionit tonë. Deri tani kemi marrë të gjitha aparaturat e sovjetike gjermane që nevojiten për vënien në funksionim të Qendrës...Këto ditë na vjen me avion edhe aparatura suplementare për studiot, dhuruar nga TV i RD Gjermane. Televizioni çekosllovak do të na dhurojë studio televizive me stacion lëvizës që do të shërbejë për transmetime nga teatrot, stadiumet; e gjitha e dhuruar nga te tri vendet mike, kap një vlerë prej 2 milionë lekë." (Dosja 3, Fondi i RTVSH-së, Arkivi i Shtetit).
Sipas këtij relacioni, parashikohej që programi ynë, në periudhën e parë të transmetonte disa herë në javë programe me karakter eksperimental, siç kishin nisur vendet e tjera mike. Veç kësaj, mendohej të krijohej një redaksi e përbërë nga 6 veta; redaktorë, teknike). Që nga ky moment, ngjarjet morën zhvillime të vrullshme. Pikërisht, më 18.4.1960, Sekretariati i Komitetit Qendror të PPSH-së, pasi shqyrtoi propozimin e Drejtorisë së Agitproprit, mori vendimin për ngritjen e Qendrës Eksperimentale të Televizionit, me aparaturat e sipërpërmendura. Nuk kaluan veçse disa ditë dhe qeveria vendosi që në organikën e këtij institucioni të kishte një redaktor e katër teknike dhe pranë kësaj qendre televizive të vinin tre specialistë nga RD Gjermane.
Dhe në fakt kështu ndodhi. Mbaj mend se ato ditë të para të prillit të vitit 1960, qendra televizive e vendosur me të shpejte në një vilë 1-katëshe pranë njerës nga të dy godinat e Radio Tiranes, erdhën tre specialistë gjermane. Ata nisën të punonin plot pasion me teknikët tanë të rinj, ku shquhej Jani Melo (1930-1988), i cili, jo rrallë, bënte shaka me ta, duke përdorur edhe ndonjë sharje që ata nxirrnin nga goja, kur puna nuk u ecte mbarë, pa ia ditur kuptimin. Dhe djelmoshat gjermanë shkriheshin gazit me Janin, pranë të cilit ndodheshin gjithnjë inxhinierët Emil Plumbi, Piro Qirko, etj..
Programi i parë
Dhe ja, erdhi 29 prilli i vitit 1960. Në orën 18.00, do të niste programi i parë i Qendrës Eksperimentale. Ne të tërë, gazetarë e punonjës të tjerë të Radios, ishim kureshtarë të shihnim Stoli Belin, gazetaren e njohur të radios për emisionet për fëmijë, tani redaktorja dhe paraqitësja e parë e këtij emisioni. Ishte një pasdite shumë e bukur, plot diell. Ngaqë nuk mund të qëndronim në mjediset e kësaj qendre të përbërë nga katër dhoma e një korridor i gjerë, shkuam në godinën e dytë të Radios, ku ishte vendosur një aparat televiziv. Me të ardhur ora 18.00, ekrani deri atëherë i murrmë, u përndrit dhe Stolia, e cila kishte kapërcyer emocionet e para, me një buzëqeshje të këndshme, shqiptoi fjalët që do të bëheshin më pas aq të zakonshme: "Mirëmbrëma, të dashur telespektatorë. Po fillojmë programin e parë te Qendër Televizive".
Progami përbëhej, së pari nga disa filma për fëmijë, e pastaj për të rritur, të cilët i paraqiti sërish Stolia; këtë radhë më e çliruar nga emocionet. Ndërkohë, unë u ktheva përsëri në vilën televizive ku kishte shpërthyer hareja, sepse programi po shkonte mirë e bukur. Aty ndodheshin edhe drejtori i Radios, Petro Kito, nismëtari i kësaj qendre, siç e pamë, gazetarët Liri Çeli, e cila më pas do të merrej edhe me drejtimin e kësaj qendre, e Pirro Naçe, që si mjeshtër jo vetëm i mikrofonit, por edhe i kameras fotografike, ndihmoi në fillim me idetë e tij, të cilët përgëzonin Stolinë dhe kameramanin e parë, Beqir Derhemi.
E meqë përmendëm kamerën, duhet të themi se ajo ishte prodhim gjermano-lindor, e cila shërbeu më pas për të gjitha llojet e transmetimeve", në biseda, më pas, lajme, emisione për fëmijë, koncerte) që bëheshin drejtpërdrejt në studio. Kjo kamera ishte pajisur me një llampë supe-rikonoskop "llampa e kthimit të sinjalit optik në linjat elektrike) dhe kishte një ndjeshmëri të ulët. Si pasojë, kërkonte ndriçim deri në 1000 luks, që të siguronte në ekran një figurë sa më të pranueshme. Për afrimin e objekteve dhe njerëzve në studio përdoreshin objektiva me thjerrëza të ndryshme që viheshin në lëvizje me anë të një manivele.
Jehona e transmetimit të parë…
Por, të kthehemi edhe një herë te emisioni i parë. Ai pati jehonë edhe te teleshikuesit e parë. Vërtetë deri në atë kohë në Tiranë nuk numëroheshin më shumë se 30 televizorë të markave sovjetike "Rekord" edhe "Rubin" e ndonjë "Tesla" çeke e "Orion" hungarez, siç përmendëm me sipër, që i kishin sjellë nga këto vende kryesisht, studentë me kursimet e tyre, veç atyre që i kishin blerë në MAPO, me shpresë se një ditë edhe në Shqipëri do të kishte programe televizive. Dhe nuk kishin gabuar. Atë ditë në shtëpitë e tyre, siç morëm vesh më pas kishin shkuar edhe kureshtarë të tjerë për të parë programin e parë të qendrës eksperimentale televizive, për të cilat ishte bërë edhe lajmërim në programet e Radio Tiranes. Dhe, ishin kënaqur... E të mendosh se kjo studio kishte vetëm një telekamera, me rreze flurore, e cila transmetonte filma 35 mm. Funksiononte gjithashtu edhe një aparat për shfaqjen e diapozitivave, pulti i zërit dhe figurës... Transmetuesi i sinjalit ishte ngritur në tarracën e godinës së dytë të Radios. Ai kishte një fuqi prej 20 E dhe siguronte transmetimin e figurës vetëm në Tiranë. (Y.Pepo, "Shkenca dhe Jeta", Nr 2. 1987).
Me këto aparatura kjo qendër, e cila pas disa muajsh mendohej se do të pajisej me aparatura moderne të asaj periudhe, vazhdoi të funksiononte edhe për disa vite të tjera, për shkak të ngjarjeve politike që ndodhen më pas, e për të cilat do të bëjmë fjalë në pjesën e dytë të këtij cikli.
Nga gëzimi në zhgënjim
Jetonim me të vërtetë në gjendje euforie. Pa kaluar një muaj nga fillimi i programeve të para të QETV-së, morëm vesh se së shpejti do të vinte nga Çekosllovakia një studio televizive lëvizëse. Me fjalë të tjera, një autobus. Drejtori ynë, Petro Kito, me thoshte atëherë si me shaka: “Ja, po vjen dita që ju komentatorët sportivë të Radios”, e kishte fjalën për Anton Mazrekun, mua dhe Ismet Bellovën), “të bëni komente të ndeshjeve të futbollit edhe në televizion, me studio të tilla". Nga studimet që bëra me pas për historinë e Radiotelevizionit, gjeta në Arkivin e Shtetit letrën që Drejtoria e Përgjithshme e Televizionit Çekosllovak i drejtonte Petro Kitos, ku theksonte se kjo studio televizive, do të nisej për në Shqipëri nga fundi i vitit 1960, prej portit të Rijekës në Jugosllavi) dhe do të ishte dhuratë e këtij televizioni. (Dosja 6, Fondi i RTVSH-së, 1960, Arkivi i Shtetit).
"Me ardhjen e kësaj studioje lëvizëse, të stacionit, si dhe me ardhjen e tele-projektorëve për filma 15 mm, premtuar nga televizioni kinez, - theksohej në një relacion të Petro Kitos, drejtuar Komitetit Qendror, - “Qendra jonë televizive do të kompletohet me aparatura dhe mund të kalojë nga faza eksperimentale, në programe të rregullta." (Po aty).
Kjo ishte e domosdoshme, sepse niveli i kësaj qendre qe shumë i ulët. Këtë e pranonin me keqardhje edhe dy specialistë të televizionit Sovjetik, Irina Moets dhe Ivan Minajev, të cilët që në muajin qershor të vitit 1960 vinin në dukje vështirësitë e mëdha që kishte QETV-së, "e cila transmeton tri herë në javë programe që zgjasin nga dy orë, me një kamera, në studio me hapësirë të kufizuar, që nuk ka ndriçimin e duhur, me transmetime kryesisht të materialeve filmike, fotografi, skica e biseda, ku mund të marrin pjesë 2-3 veta. (Dosja 1 – 9, Fondi i RTVSH-së, 1960, Arkivi i Shtetit).
Specializimi i parë
Ja përse u morën masa që të dërgohej sa më parë në Çekosllovaki dhe në RD Gjermane Emil Plumbi, inxhinieri i talentuar i Radio Tiranës, që do të specializohej për një periudhë të shkurtër si dhe të vinin po nga ky vend dy specialistë gjermano-lindore, që do të qëndrojnë në Tiranë një muaj e gjysmë. Pritet të vijnë së shpejti me studion lëvizëse edhe tre specialistë çekosllovakë. Në vitin 1961 parashikohet të dërgohen për specializim, në bazë të marrëveshjes dhe bashkëpunimit, edhe tre kuadro, dy në Bashkimin Sovjetik dhe një në Hungari." (Po aty). Punët dukeshin se po shkonin si jo më mirë. Inxhinier Emil Plumbi, pasi kthehej nga specializimi në Çekosllovaki dhe RD Gjermane, i paraqiste me 27. 12. 1960 Drejtorisë së Radiodifuzionit një relacion, ku theksonte dhe një herë që autobusi-lëvizës ishte gati për t'u nisur në Shqipëri, së bashku me një inxhinier. (Po aty). Më poshtë, në relacionin e tij, Emil Plumbi theksonte se më 10 tetor ai kishte qenë në Berlin, ku drejtuesit e televizionit gjermano-lindor i kishin premtuar të dërgonin kamera industriale "Vidikon". "Më 1961”, - vazhdonte Emil Plumbi në relacionin e tij, - “do të dërgohen disa kamera të tjera për studio, si dhe në mars të gjitha pajisjet e nevojshme për aparatet diapozitive që kemi dhe epidiapozitivë." (Dosje 1, Fondi RTVSH-së, 1960, Arkivi i Shtetit).
Me kalimin e kohës mendohej se nga kuadri ekzistues prej pesë vetash që kishte QETV-ja, të kalohej në 18 veta; një përgjegjës, pastaj redaktorë, regjisorë, operatorë, teknikë me studio lëvizëse, pra, me autobus për të transmetuar shfaqje dhe ngjarje politike, sportive… projekt që u aprovua nga vete kryeministri Mehmet Shehu, në një vendim të datës 25.12.1960 të Këshillit të Ministrave. (Po aty). Mendoni se çfarë perspektive i hapej kështu QETV-së për t'u kthyer së shpejti në një televizion të mirëfilltë!...
E ndjeja veten të gëzuar, sepse vërtet isha dashuruar që i vogël pas radios, por tani para meje, siç më kishte thënë si me shaka drejtori ynë, Petro Kito, më hapej horizonti i televizionit, ndonëse atë nuk e njihja fare.
Por të tëra këto mbeten ëndrra…
Si pasoje e politikës vetizoluese të diktatorit Enver Hoxha, pas Mbledhjes së Moskës, në nëntor të vitit 1960, Shqipëria prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe me vendet e tjera socialiste. Si pasojë, u prishën të tëra marrëveshjet ekonomike e kulturore me këto vende, duke përfshirë edhe marrëdhëniet e bashkëpunimit edhe në fushën e Radiotelevizionit. Kësisoj, nuk erdhën as aparaturat e mësipërme, as studioja lëvizëse, as nuk u bë ndonjë specializim aq i domosdoshëm i personelit profesional.
QETV-ja mbeti me këtë personel: Stoli Beli, redaktore e paraqitëse, së bashku me Katerina Goshin, Polivaq Linon, folësit Kico Fotiadhi e Loredan Bubani dhe më pas, Heroina Deliun e kameraman, Beqir Derhemin, teknikët Jani Melon, Vezir Hoxhën, Ilia Capon, Riza Prosekun... Veç këngëtarëve të muzikës popullore e klasike, në ekranin e vogël shfaqeshin aktorë, piktorë, të cilët improvizonin si Namik Prizreni, grupe fëmijësh...
Këto programe nisën të pëlqeheshin nga teleshikuesit ende të paktë. Edhe unë pata rast të bashkëpunoj me QETV-në. Nga fundi i vitit 1963, nga televizioni gjermano-perëndimor erdhi një kasetë prej 20 minutash me film 16mm, ku ishte përmbledhur ndeshja e futbollit midis "Partizanit" dhe "Këlnit" për turin e parë të Kupës së Evropës, zhvilluar në Tiranë, që kishte përfunduar 0-0. Stolia m'u lut që ta komentoja, si komentator i Radio Tiranës që isha prej disa vitesh. Pranova me kënaqësi; aq më tepër që ndeshjen, e cila ishte zhvilluar para dy javësh, e kisha ende të freskët. Duke qenë se në kolonën zanore ishte regjistruar dhe atmosfera e stadiumit, me britmat e shikuesve, kronika televizive u pëlqye.
Kamera që nxirrte …tym
Më 10 prill 1966, inxhinier Lulëzim Topçiu që kishte nisur të punonte te QETV, së bashku me teknikun Spiro Qirko, realizuan me atë kamera primitive gjermano-lindore, që ende mbahej në këmbë, transmetimin e parë të një ndeshje futbolli, që u zhvillua në stadiumin Kombëtar "Qemal Stafa", midis "Partizanit" dhe "Dinamos". Si gjithnjë, kameraman ishte Beqir Derhemi. Komentin nga kabina, në stadium, e bëra unë. Ishte hera e parë në jetën time gazetareske që provoja një gjë të tillë. Por, duke imituar Nikolo Karozion, legjendën e mikrofonit sportiv italian dhe Nando Martelinin, që e pasoi, bëra një koment që ishte, në mos i bukur, plotësisht i pranueshëm.
Në pjesën e dytë, kamera, në prani të udhëheqësve të lartë të kupolës komuniste në tribune, nisi të nxirrte ... tym. Transmetimi u ndërpre, por ne, vjetarët e historisë së Televizionit tonë u shënua një ditë e re pakëz komike. Tri javë më pas, këtë radhë nga një autobus, prodhim rumun, i përshtatur për studio lëvizëse, QETV-ja transmetoi manifestimin e 1 Majit nga sheshi "Dëshmorët e Kombit". Isha përsëri unë që e bëra përshkrimin nga autobusi. Kësaj here kamera nuk nxori ... tymin e flamosur!
Televizioni ynë po shënonte pas kaq vitesh një ngritje të vogël, që do të ishte paralajmërimi i një rruge të gjatë.
Do të vinte 1 nëntori i vitit 1971 që, më së fundi, me ndihmën e Kinës Popullore të Mao Ce Dunit, me të cilën Enver Hoxha ishte lidhur si “mishi me thoin”, të përurohej më së fundi Televizioni Shqiptar, programet e të cilit mund të shiheshin në pjesën më të madhe të Shqipërisë.
Prishja më Kinën
Pas Plenumit të 4-t të Komitetit Qendror të PPSH-së, në qershor të vitit 1973, ku Enver Hoxha, duke marrë shkas nga festivali i XI i Këngës, (dhjetor 1972), filloi një luftë të ashpër kundër shfaqjeve të huaja borgjezo-revizioniste të letërsi dhe arte, që solli prerje kokash, duke filluar nga drejtoi i RTVSH-së, Todi Lubonja, etj., ky institucion iu nënshtrua një censure mesjetare. Mbi të gjitha, u kufizuan shumë në të gjitha fushat lidhjet e këtij institucioni me botën e jashtme. Ne ekranin e vogël shiheshin vetëm programe e filma kineze dhe tek-tuk, filma të regjistruar nga RAI. As që bëhej fjalë për këmbime delegacionesh me televizione të huaja, ndonëse ftesat, siç do të shohim më poshtë, nuk mungonin. Por erdhi koha që edhe marrëdhëniet me Kinën e madhe popullore të ftoheshin.
Dëshmi e kësaj ftohje është dhe relacioni i delegacionit të RTVSH-së, të kryesuar nga drejtori i tij, Çajup Rusmali, pas vizitës dyjavore, datë 2-17 korrik 1977 në Kinë. Në këtë relacion, theksohet se ky delegacion nuk pati pritjen e duhur dhe u bë vetëm nga drejtuesit e RTV-së së Pekinit. "Ky fakt dëshmon për një vlerësim jo të mirë të delegacionit tonë" - thuhet në relacion. Pritja ishte korrekte, por e ftohtë. Shprehje të tilla si "shokë", "bashkëluftëtarë", mungonin krejtësisht. (Dosja 13, fondi i RTVSH, Arkivi i Shtetit, 1977). Kjo solli si pasojë që edhe puna për ndërtimin e fazës së dytë të Televizionit, pra zgjerimit të rrjetit të shikimit të programeve të TVSH-së në të gjithë Shqipërinë, të zvarritej dhe më shumë. Megjithatë, TVSH-ja mundohej të mbante lidhje me botën e jashtme, nëpërmjet kronikave dhe emisioneve televizive, veçanërisht me Visnjusin, firmë e njohur televizive.
Pastaj, ashtu si me Bashkimin Sovjetik, në vitin 1961 ndodhi dhe prishja me Kinën, në vitin 1978, që u be botërisht e njohur me letrën që Komiteti Qendror i Partisë dhe Qeveria shqiptare i dërgoi më 30 korrik 1978 Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës. Veç ndihmave ekonomike, nga Kina u ndërprenë edhe ndihmat në fushën e Radios e sidomos të Televizionit.
Sidoqoftë, raste për të krijuar marrëveshje të reja me botën e jashtme u krijuan më pas. Për të katërtën herë, sipas një njoftimi të Drejtorisë së Përgjithshme të RTVSH-së, drejtuar Ministrisë së Jashtme, firma e njohur BBC kërkonte të vinte në Shqipëri. "Nga ana tjetër, - nënvizohej në relacion, - “kemi ftesa për të marrë pjesë në festivalet e ndryshme të filmit në Londër. Televizioni ynë ka lidhje me këtë firmë dhe ka blerë shume filma." (Dosja 67. Fondi i RTVSH, Arkivi i Shtetit, 1979).
Gjithashtu, marrëveshje me Televizionin tonë kërkonin të bënin firma kanadeze "Office National du Canada", firma italiane "Savise Semex". Edhe një grup xhirimi nga Televizioni i Shkupit kërkonte të xhironte një film për vendin tonë. Më kot: TVSH, si çdo institucion tjetër, si vetë Shqipëria, ishte e mbyllur për të huajt. Bënin përjashtim vetëm disa grupe teknike që u dërguan për specializim jashtë shtetit dhe ardhja e ndonjë përfaqësuesi të firmës "Tomson" për probleme teknike. Ndaj grupeve të huaja që kërkoni të bënin programe televizive për Shqipërinë, kishte ngurrim. Mbase kjo dukuri u bë me e theksuar pas një rasti që po e shtjelloj më poshtë.
RAI dokumentar për Shqipërinë në vitin 1978
Në janar të vitit 1978, një grup i Televizionit RAI 2 përgatiti një film të gjatë dokumentar mbi Shqipërinë. Siç duket, prej grupit krijues italian ishin marrë premtime se do të realizohej një film pozitiv për Shqipërinë. Ishte kjo arsyeja që në një mbrëmje nga fundi i shkurtit të atij viti, RAI 2 u la i lirë që të shihej nga teleshikuesit tanë. Mbaj mend se dokumentari kishte një titull kuptimplotë: "Këtu pëlqehet ende Stalini". ( Qui piace ancora Stalin). Në fakt, autorët e filmit, me shumë finokëri, kishin arritur t'i shpëtonin censurës dhe kishin xhiruar pamje që nga një anë me të vërtetë pasqyronin sukseset e Shqipërisë socialiste, por nga ana tjetër, pamje të zymta, që dëshmonin të kundërtën. Këtë e plotësonte edhe titulli që nuk ka nevojë për koment. Mjerisht, në Arkivin e Shtetit, ashtu si dhe në disa raste të tjera që kam përmendur në këtë cikël, nuk ka dokumente që të dëshmojnë se në ç'rrugë erdhi ky grup i RAI 2, ku dhe kush e shoqëroi nga pala shqiptare...
Por, me sa duket, ky mësim u bë pësim, sepse grupe të tilla xhirimi për një kohë nuk u lejuan të vinin në Shqipëri. Por, më pas, edhe kur u lejuan, iu nënshtruan një mbikëqyrje të rreptë dhe me kushte nga më të habitshme. Këtë do ta ilustroj me dy ngjarje të përafërta me njëra-tjetrën.
Vijon në numrin pasardhës
Në numrin e ardhshëm do të lexoni:
Peripecitë e grupi gjerman të xhirimit më 13 janar të vitit 1981
Nuhatja e regjisorëve të huaj. Në fund të majit 1981 vjen Peter Paul Lenvai
Drejtuesit e RTVSH-së, nomenklaturë e Komitetit Qendror
Për më shumë, na ndiqni në vijim
27 Prill 2010