E Diel, 1 Nëntor 2026

Maturantët e arsimuar jashtë, MASH-i nxjerr 102 kandidatët e përzgjedhur



Jonida Tashi

Ministria e Arsimit publikon zyrtarisht emrat e 102
maturantëve që e kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit dhe dëshirojnë t’i ndjekin studimet e larta në Shqipëri. Pikësëpari, për të marrë pjesë në provimet e Maturës Shtetërore 2010, për rrjedhojë edhe në garën e pranimeve në universitete, këtyre kandidatëve duhet t’u njihej Dëftesa e Pjekurisë nga Ministria e Arsimit. Pas marrjes në dorëzim të dokumenteve që u dorëzuan në Ministri nga të arsimuarit jashtë, komisioni i posaçëm i shqyrtimit të tyre në MASH, pasi ka njohur vlefshmërinë e Dëftesës shkollore, ka përcaktuar mbi bazën mbi e dokumentacionit të paraqitur, nëse provimet e dhëna që figurojnë në Dëftesë janë ekuivalente me Maturën Shtetërore.
Provimet
Në përfundim të procesit të shqyrtimit të dokumentacionit për të arsimuarit jashtë vendit, Ministria e Arsimit ka zyrtarizuar dje emrat e 102 maturantëve që do të marrin pjesë në provimet e Maturës 2010. Sipas rregullave të vendosura këtë vit nga Ministria e Arsimit, shtetasit shqiptarë që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit dhe që nuk kanë dhënë provimet ekuivalente me Maturën Shtetërore, për t’u pranuar në universitetet publike, duhet të japin Matematikën dhe Gjuhën shqipe dhe Letërsinë, ose një nga gjuhët e huaja të menysë së lëndëve me zgjedhje, e konceptuar sipas standardit të testit të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë (provimet me detyrim D1 dhe D2). Sipas Ministrisë së Arsimit, për këta konkurrues, për provimet me zgjedhje (Z1 dhe Z2) do të respektohet zgjedhja individuale, përveç gjuhës së huaj, kur këtë e kanë dhënë si provim të detyruar.
Të dhënat
Të dhënat e nxjerra nga specialistët e Ministrisë së Arsimit, për kandidatët e arsimuar jashtë, tashmë do t’i përcillen zyrtarisht edhe Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) dhe Agjencisë së Pranimit në Universitetet Publike (APRIAL). Ndërsa për rastet kur komisioni i shqyrtimit ka vlerësuar se dokumentet shkollore nuk dëshmojnë për dhënien e provimeve ekuivalente me Maturën Shtetërore, ky komision përllogarit notën mesatare të viteve të shkollimit dhe notat e provimeve të detyruara D1 dhe D2. Këto nota, komisioni ia përcjell zyrtarisht Komisionit të Maturës Shtetërore të drejtorisë arsimore rajonale ose zyrës arsimore përkatëse, ku shtetasi shqiptar ka vendbanimin, deri në datën 30 prill 2010. Komisioni i Maturës Shtetërore i drejtorisë arsimore rajonale ose zyrës arsimore i përcjell këto të dhëna në AVA dhe APRIAL dhe cakton shkollën ku kandidati do të kryejë provimet me zgjedhje dhe ku do të plotësojë formularët përkatës, duke i përcjellë kësaj shkolle dhe notat që ka përcaktuar komisioni i posaçëm. Së fundi, formularët A1-Z, të plotësuar nga këta kandidatë do të dorëzohen zyrtarisht si edhe në formë elektronike në AVA dhe APRIAL, së bashku me përmbledhësen e të dhënave të maturantëve, brenda datës 5 maj.

27 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›