E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ne Greqi, partitë dhe populli, luftë verbale për ndihmën



Blerina Olldashi
Partitë politike në Greqi janë ndarë për sa i përket aktivizimit të mekanizmit të ndihmës financiare, pasi edhe vetë opinioni e përjetoi këtë si një “dështim kombëtar”. Menjëherë Pas deklaratës së kryeministrit Papandreu për marrjen e ndihmës, u fol për përballjen me një realitet të ri dhe të vështirë ekonomik. Për 4-5 vjet, siç i kërkohet, Greqia do të jetë nën mbikëqyrjen e ngushtë ose më saktë tutelën e eurozonës, por edhe të FMN-së për zbatimin e një programi masash të rrepta financiare, por edhe reformash të thella që do të kushtëzojnë edhe shpërndarjen e fondeve të ndihmës, që vetëm për sivjet përllogariten në 30 miliardë euro. “Qeveria aktuale dhe populli grek, trashëguam një anije gati për t'u fundosur, një vend pa autoritet dhe kredibilitet, që kishte humbur besimin e miqve dhe të partnerëve të tij” deklaroi Papandreu, i cili gjatë vizitës së tij fundjavën në ishullin Rodos nuk nguroi të flasë për fazën e “sovranitetit të kufizuar”, në të cilin hyn vendi. Ndërkohë opozita dështimin ia adreson qeverisë. Jo vetëm kreu i opozitës së djathtë Samaras, që duhet ta reformojë dhe ta mbajë të bashkuar partinë dhe deklaroi se “kriza e kreditimit është arritje personale e PASOK-ut”.
Zhgënjimi i popullit
Me një ndjenjë pezmatimi të thellë, por edhe pasigurie për të ardhmen u prit vendimi nga ana e njerëzve të mundit dhe të djersës, të cilët do të vuajnë edhe pasojat më të mëdha të “modelit të zhvillimit” të FMN-së. “Shembje e vendit. Të gjithë qytetarët po zhgënjehen, po shkojmë nga një e keqe në një të keqe tjetër më të madhe”, thotë një qytetar. “Është një goditje për ekonominë dhe dinjitetin politik të vendit” thotë edhe presidenti i Konfederatës Kombëtare të Tregtisë Greke, Vasilis Kroqidis, që bën apel ndërkohë gjithçka të shihet “si një pikënisje e re nga në një realitet të ri që nuk e njohim”. Shkurtim pagash dhe pensionesh, lirime pa kufizim nga puna dhe më shumë vite për pension, që të gjithë druhen se do të përfshijnë dhe sektorin privat, është imazhi që kanë njerëzit për “paketën e ndihmës”.
Europa e ndarë
Dhënies së ndihmës për Greqinë i janë përgjigjur në mënyra të ndryshme shtetet e Bashkimit Europian, kryesisht Gjermania, e cila ka vënë si kusht mbikëqyrjen e uljes së shpenzimeve të qeverisë si dhe përdorimin me efikasitet të shumës së përcaktuar.
Ministri gjerman i Financave, Volfgang Shauble e vlerëson si të mundshme një refuzim të ndihmës së kërkuar nga Greqia nga ana e qeverisë gjermane. “Vendimi nuk është marrë ende” është shprehur ai për mediat. Ndërkohë nga njoftimet e agjencive bëhet e ditur, se Greqia mund të ketë më shumë nevojë për ndihma financiare se sa 45 miliardëshi i planifikuar nga BE-ja dhe FMN-ja. Ndërkohë Italia dhe Austria i kanë bërë thirrje partnerëve të tyre në BE të mos vonojnë dhënien e ndihmës financiare Greqisë. Austria thotë se fondet janë urgjente për të shpëtuar Greqinë nga borxhi i madh që ka dhe se nuk duhet humbur koha. Fjalët e shefit të përgjithshëm të FMN se grekët nuk duhet të kenë frikë nga FMN duket se kanë rënë në vesh të shurdhët. Ndërkohë çmimi që qeveria greke duhet të paguajë për huatë po vazhdon të rritet. Ai kapërceu 9 për qind për herë të parë qëkur Greqia iu bashkua eurozonës.

27 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›