E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Hungaria do të mbështesë hyrjen e Shqipërisë në BE, sikurse e mbështeti për hyrjen në NATO”

Premton Ministrin hungarez i Mbrojtjes, Imre Szekeres

TIRANE - Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa priti dje në një takim, Ministrin  e Mbrojtjes së Hungarisë, Imre Szekeres, ku dhe mori garanci nga ky i fundit se Hungaria ashtu siç mbështeti hyrjen e Shqipërisë në NATO, do të mbështesë plotësisht anëtarësimin e vendit tonë në BE dhe Hungarisë i intereson që Shqipëria dhe i gjithë Ballkani të anëtarësohet sa më shpejt. Këtë deklaratë Ministri i Hungarisë e përcolli edhe gjatë një konference të përbashkët për shtyp që dha me ministrin Oketa.
Ministri i Mbrojtjes së Hungarisë, Imre Szekeres, deklaroi përpara mediave se “Hungaria do të japë mbështetjen e saj për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, në mënyrë që ky proçes të jetë i suksesshëm dhe ky integrim të jetë sa më i shpejtë”.
Ministri Szekeres deklaroi më tej se “Ristrukturimi i bazës ligjore, arritja e e standardeve që kërkohen nga BE-ja, janë gjithashtu detyra të  rëndësishme, që duhen të përmbushen, dhe ne do të japim ndihmesën dhe eksperiencën tonë që ne e kemi fituar nga BE”. Ministri hungarez kishte parasysh politikat që evropiane për Ballkanin Perëndimor kur tha se “Hungarisë i intereson që Shqipëria të jetë anëtare e BE-së, pasi  jemi të interesuar që integrimi i Ballkanit të përshpejtohet dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të”.
Nga ana e tij, Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, tha se Shqipëria është e vendosur të përmbushë të gjitha angazhimet e saj, duke shtuar se “qeveria shqiptare është e vendosur të dëshmojë se, ashtu siç meritoi anëtarësimin në NATO, do të meritojë edhe anëtarësimin në BE”.
Sa i përket bashkëpunimit mes dy vendeve, ministri i Mbrojtjes të Hungarisë, tha se “bashkëpunimi mes Hungarisë dhe Shqipërisë nuk do të jetë vetëm në fushën  ushtarake, por edhe në fusha të tjera, si atë ekonomike, pasi Qeveria e Republikës Hungareze mbështet dhe nxit kompanitë hungareze që të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri”. Ministri i Mbrojtjes i Hungarisë, Imre Szekeres vlerësoi gjithashtu angazhimin e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse në Afganistan, Çad, duke theksuar se “Forcat e Armatosura shqiptare dhe ato hungareze, që shërbejnë kudo në botë për të ruajtur paqen dhe sigurinë, i kryejnë më së mirë detyrat e tyre”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›