“Me PD-në, i afrohemi BE-së dhe lëvizim të lirë në gjithë Evropën”

Deklaron nga Fieri, kreu i FRPD-së, Gerti Bogdani
TIRANE - Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike Gerti Bogdani ka zhvilluar një takim me të rinjtë demokratë të qytetit të Fierit. Gjatë takimit, kryetari i FRPD-së deklaroi se të rinjtë sot janë prioritet i kësaj qeverie dhe padyshim do të jenë prioritet në mandatin e saj të dytë. Duke theksuar se në zgjedhjet e 28 qershorit për herë të parë voton një numër i madh të rinjsh, mbi 300 mijë të rinj nga e gjithë Shqipëria, kreu i FRPD-së, Bogdani theksoi se, “janë të rinjtë sot që do vendosin për Shqipërinë, e cila po ndryshon”.
“Zgjedhjet e 28 qershorit janë shumë të rëndësishme. Janë si një udhëkryq ku do vendosim të ecim përpara apo të rrimë në vend. Këtë e vendos vota e të rinjve të PD-se dhe e të rinjve të të gjithë Shqipërisë”, tha ai.
Bogdani shtoi më tej se, “tashmë Shqipëria është anëtare e NATO-s, në krah të 28 vendeve më të fuqishme të botës sepse e meriton, sepse ka dinjitetin vet, sepse është një nga popujt më të lashtë të këtij kontinenti dhe është sepse Shqipëria po ndryshon sepse është Partia Demokratike ajo që e solli në këtë ndryshim duke i dhënë Shqipërisë vendin e vet të merituar”.
Duke iu referuar liberalizimi të vizave, i cili është premtimi më madhor për mandatin e dytë të qeverisë aktuale, kreu i FRPD-se tha se “heqja e vizave është ajo që na bën qytetarë të barabartë të kësaj Evrope të bashkuar dhe qytetarë të denjë të kësaj familjeje të madhe sepse të tillë jemi. Ky është hap shumë i rëndësishëm për ne, sepse ndjehemi të barabartë me bashkëmoshatarët tanë evropiane, kemi me ta të njëjtin dinjitet që ata kanë dhe sot kemi mundësinë t’i afrohemi Evropës dhe të lëvizim të lirë në Evropë”.
Ndërkaq, takimi i FRPD-së gjithashtu u përshëndet nga kryetari i grupit të punës për Fierin, ish- kryetari i forumit i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, i cili theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në FRPD si një shkallë karriere shumë e rëndësishme dhe si përvojë për të marrë përgjegjësi politike dhe administrative.