E Diel, 1 Nëntor 2026

Hungaria mbështetje Shqipërisë për vizat

TIRANE- Shqipëria merr mbështetjen e Hungarisë në procesin e liberalizimit të vizave, por i kërkohet përmbushja e kritereve. Konfirmimi vjen nga ministri i jashtëm i Hungarisë Péter Balázs gjatë takimit të zhvilluar me homologun shqiptar Ilir Meta. Sipas tij Hungaria do të jetë mbështetëse e Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave, por ai u tregua i rezervuar nëse ky proces do të arrihet brenda kësaj vere.

“Shqipëria po ecën mirë, ajo ka bërë përpjekje të mëdha ka arritje dhe besoj se do të vazhdojë në këtë drejtim. Por përvec kësaj ne duhet të marrim dhe konsensusin e 27 vendeve anëtare të BE-së. Në rast se procesi i liberalizimit të vizave nuk do të jetë arritur deri në kohën kur Hungaria do të marrë presidencën e radhës të BE natyrisht që do të bëjmë gjithcka është e mundur që kjo të realizohet.” theksoi Balázs.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, ministri hungarez bashkë me homologun Ilir Meta kanë vënë në dukje domosdoshmërinë e intensifikimit të mardhënieve kryesisht ekonomike. Në këtë aspekt ministri i jashtëm hungarez ka shprehur interesin e sipërmarrësve hungarezë për të investuar në fusha të ndryshme si sektorin energjetik, telekomunikacion, sistemin bankar, turizëm dhe ndërtim. Në këtë kuadër u firmos edhe marrëveshja e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Më pas kryediplomati hungarez zhvilloi takime edhe me presidentin Bamir Topi dhe kryeparlamentaren Topalli.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›