E Diel, 1 Nëntor 2026

Hungaria tërheq ligjin, hapet rruga për marrjen e huasë nga BE

Hungaria do të tërheqë ligjin e shumëkritikuar nga Bashkimi Europian për cënimin e pavarësisë së Bankës Qëndrore të vendit, informoi të mërkurën një zëdhënës i Komisionit Europian.

Ky lëshim i Budapestit zyrtar i hap tashmë rrugë bisedave për marrjen e një kredie madhore prej 15-20 miliardë eurosh nga BE, për të rigjeneruar ekonominë hungareze, të dëmtuar rëndë nga kriza ekonomike dhe inflacioni galopant.

Aktualisht, Hungaria është duke u përballur me probleme të mëdha, përsa i përket kostos gjithmonë e më të shtrenjtë të huamarrjes dhe rënies së vazhdueshme të fuqisë blerëse e nivelit të jetesës në vend.

Si rrjedhojë e disa politikave konfliktuale, mes të cilave ligji për pavarësinë e Bankës Qëndore dhe një tjetër që sillte censurën e mediave, qeveria e kryeministrit Viktor Orban është vendosur në qendër të sulmeve të ashpra nga ana e Bashkimit Europian.

Si rrjedhojë e tërheqjes nga planet për ndryshimin e ligjit mbi Bankën e Hungarisë, kostoja 10-vjeçarje e huamarrjes pësoi një rënie të menjëhershme, nga niveli i 9%, në 8,1%.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›