E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hungaria, votë ‘pro’ integrimit të Shqipërisë për listën e bardhë të “Schengen”-it

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta takon homologun e tij hungarez, Peter Balazs

Shqipëria ecën e sigurtë në rrugën e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian dhe për këtë progresi është i prekshëm. Kështu është shprehur ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Balazs, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun shqiptar, Ilir Meta, pas një takimi të zhvilluar.

“Hungaria është vetëm 1 prej 27 vendeve anëtare të BE dhe sigurisht vota e saj do jetë ‘pro’ heqjes së vizave. Bëhet fjalë në radhë të parë për përmbushjen e kushteve përkatëse për procesin e liberalizimit të vizave. Dhe në këtë drejtim do të thosha që Shqipëria po ecën mirë. Ajo ka bërë përpjekje të mëdha. Ka arritje dhe ne besojmë që do të vazhdojë në këtë drejtim. Por, përveç kësaj, ne duhet të marrim edhe pëlqimin, konsensusin e 27 vende anëtare të BE-së”, u shpreh Balazs.

Ministri hungarez shtoi se vendi i tij ndjek me vëmendje përpjekjet e integrimit të Shqipërisë në BE dhe realizimi i reformave, tha ai, mbetet kushti kryesor për realizimin e kësaj aspirate mbarëkombëtare.

Ndërsa nga ana e tij, shefi i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, specifikoi si objektivin parësor të qeverisë “Berisha” liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, brenda këtij viti.

Ministri i Jashtëm Meta nënvizoi se marrëdhëniet Shqipëri-Hungari janë të shkëlqyera. Sipas Metës, marrëveshja ekonomike e nënshkruar sot do jetë në hap për të rritur edhe më shumë marrëdhëniet tregtare mes vendeve.

“Objekti ynë ka qenë i qartë dhe mendoj se është i përmbushur dhe që ka të bëjë me plotësimin e të gjithë kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Ju e dini që ne kemi përshëndetur dhe e kemi konsideruar hap shumë pozitiv liberalizimin e vizave për tre vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi dhe ne do të donim që kjo gjë të ndodhë për Bosnjën e natyrisht, sa më shpejt të jetë e mundur edhe për Kosovën, në mënyrë që çështja e liberalizimit të vizave të zgjidhet një herë e mirë për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Në këtë drejtim, qëllimi ynë është sa më shpejt të liberalizohen vizat për Shqipërinë. Dhe njëkohësisht, presim çdo vendim pozitiv padyshim edhe për Bosnje Hercegovinën”, deklaroi ministri i Jashtëm, Ilir Meta.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, vuri theksin veçanërisht në thellimin e bashkëpunimit dhe rritjen e mbështetjes dhe asistencës së Hungarisë, në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë dhe gjithashtu cilësoi të domosdoshëm bashkëpunimin në fushën ekonomike.

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Hungarisë, Peter Balazs, shprehu vlerësimin e tij për sukseset e arritura nga Shqipëria në drejtim të reformave dhe procesit të integrimit evropian, duke nënvizuar mbështetjen e Hungarisë në çështjen e liberalizimit të vizave si dhe siguroi se vendi i tij do të vijojë të qëndrojë pranë Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e tyre integrues në familjen evropiane.

Në kuadër të kësaj vizite, pas bisedimeve ndërmjet dy delegacioneve u nënshkruan dy marrëveshje, “Protokolli i Bashkëpunimit ndërmjet dy MPJ-ve” dhe “Marrëveshja e Bashkëpunimit Ekonomik mes Shqipërisë e Hungarisë”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›