E Diel, 1 Nëntor 2026

Hungaria, avokat i fuqishëm i proceseve të integrimit të Shqipërisë në BE

Kryeministri Sali Berisha takon ministrin e jashtëm hungarez, Balazs

Hungaria është konfirmuar si një aleat i besueshëm i Shqipërisë në rrugën e gjatë të proceseve të integrimit evropian. Përmes një takimi të zhvilluar dje ndërmjet kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Jashtëm hungarez Peter Balazs, u theksua angazhimi solemn i palës shqiptare dhe asaj hungareze për konkretizimin e bashkëpunimit në fusha të gjëra, ku kryefjala mbetet mbështetja e vendit tonë në rrugën e integrimit.

Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen ministrit të Punëve të Jashtme të Hungarisë duke shprehur falënderimet e tij dhe të qeverisë shqiptare për mbështetjen e gjithanshme, që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë në të gjithë rrugën e saj drejt zhvillimit dhe modernizimit të vendit, për përkrahjen e madhe gjatë procesit të integrimit të Shqipërisë në NATO, si dhe për rolin e rëndësishëm dhe aktiv që Hungaria ka luajtur veçanërisht në 15 vitet e fundit në paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit.

Ministri i jashtëm Balazs falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe vlerësoi se marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve janë në një nivel të shkëlqyer dhe ekzistojnë të gjitha bazat politike shumë të mira për zgjerimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.

Duke u ndalur në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, Kryeministri Berisha u shpreh se ky është dhe prioriteti më madhor për shqiptarët dhe qeverinë shqiptare dhe se vlerësohet si një proces i bazuar në meritën dhe në rezultatet e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare për të përmbushur kriteret dhe standardet e kërkuara për integrimin në Bashkimin Evropian.

Ministri Balazs u shpreh se Hungaria mbështet plotësisht integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe do të jetë një zë i fuqishëm dhe një avokat i Shqipërisë në këtë proces të rëndësishëm.

“Ne, tha ministri i jashtëm Balazs, do t’i transmetojmë mesazhet tona të kësaj mbështetje të integrimit të Shqipërisë në BE, drejt Brukselit, duke qenë kështu një nga miqtë dhe avokatët tuaj më të vendosur në këtë drejtim”.

Kryeministri Berisha dhe ministri i jashtëm hungarez u ndalën gjerësisht dhe në procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët, proces për të cilin kryeministri Berisha u shpreh se duhet të gjykohet mbi performancën e vendit të tij në plotësimin e kritereve teknike të kërkuara për t’u përmbushur dhe qeveria shqiptare është e vendosur plotësisht për të thelluar më tej reformat e rëndësishme që kanë sjellë një transformim rrënjësor të vendit, si dhe për të vazhduar me vendosmëri luftën me tolerancë zero kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në këtë kontekst ministri i jashtëm Balazs u shpreh se Hungaria mbështet fuqishëm liberalizimin e vizave për shqiptarët dhe se do të jetë përkrah Shqipërisë me të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e saj për përshpejtimin e këtij procesi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›