"Hungarinë nuk e tremb aspak Shqipëria kryesuese"
Pas barazimit me Danimarkën dhe humbjes me Suedinë, Hungaria është gati të bëjë kthesën në ndeshjen kundër Shqipërisë, që do të luhet më 11 tetor në stadiumin "Ferenc Pushkash". Çaba Mate, ndihmësi i trajnerit të Hungarisë, Ervin Kuman, ka folur për ndeshjen me Shqipërinë dhe gjendjen e 24 lojtarëve të grumbulluar, ku vetëm tre prej tyre aktivizohen në kampionatin vendës. Mote ka qenë i pranishëm në tribunën e "Qemal Stafës", në ndeshjen miqësore të 20 gushtit, që kombëtarja kuqezi luajti me Lihtenshteinin, ndërsa një tjetër i dërguar i stafit teknik të Hungarisë ka vëzhguar Shqipërinë në dy përballjet eliminatore. Hungarezët kanë njohuri të plotë për lojën e kuqezinjve dhe, sipas zëvendëstrajnerit Mate, kombëtarja shqiptare nuk i tremb. Ai është i bindur që do të bëhet kthesa. "Janë të gjitha mundësitë që ne të bëjmë kthesën me Shqipërinë. Ndaj Suedisë luajtëm shumë mirë dhe kurrsesi nuk e meritonim humbjen, por fati na mungoi. Shqipëria, pavarësisht se pozicionohet në krye, mendoj se nuk do të thotë që është më e mira apo më e keqja e grupit. Pra, kryesimi i saj nuk tregon realitetin e vërtetë të grupit dhe besoj se është i përkohshëm. Ne e njohim shumë mirë lojën e tyre dhe, nisur nga ajo që kemi parë në dy ndeshjet e fundit, mendoj se është një ekip që mund t'i hapë punë kujtdo. Lojtarët tanë po kalojnë një gjendje të kënaqshme dhe janë gati për të bërë më të mirën në këto dy ndeshje,"- ka thënë ndihmësi i holandezit Ervin Kuman.
Por pavarësisht këtyre fjalëve, Mate bën thirrje që Hungaria duhet ta marrë seriozisht Shqipërinë. "Synimi ynë është i qartë: të marrim patjetër 6 pikë në këto dy ndeshje. Me Maltën mund të mendohet se fitorja do të jetë më e lehtë. Sidoqoftë, ne fillimisht duhet ta marrim shumë seriozisht Shqipërinë, sepse është një kundërshtar, me të cilin nuk do ta kemi aq të lehtë. Ajo që na bën optimistë se do ta kalojmë, është se ekipi ynë, pavarësisht renditjes, ka shfaqur lojëra të mirë dhe tani ka ardhur momenti që të arrijmë rezultatet maksimale,"- shton numri 2 i Hungarisë. Ndërkohë, Çaba Mate flet edhe për problemet që shqetësojnë stafin teknik, në prag dy ndeshjeve të radhës. "Kemi thirrur katër portierë, sepse nuk jemi ende të bindur se kush do të luajë në këtë repart, gjithashtu po punojmë që të jemi më kompaktë në mbrojtje. Ky është një problem, pasi pjesa tjetër e ekipit kalon një formë të mirë. Jemi të kënaqur që me Shqipërinë do të kemi edhe Zoltan Gerën. Eshtë një plus i madh,"- tregon zëvendëstrajneri Mote.
Sipas mediave hungareze, forma e mirë e lojtarëve të tillë si Husti, Dardai, Hajnal dhe Gera, jep siguri për një fitore bindëse ndaj Shqipërisë. Në kryeqytetin hungarez, Budapest, ka pasur interesim të madh për bileta për ndeshjen me Shqipërinë dhe, sipas mediave vendëse, pritet një fluks i konsiderueshëm tifozësh.