E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjeditë zbulojnë talentin e fshehur brenda

Poeti dhe dramaturgu boshnjak, Abdullah Sidran, sot në Tiranë, në premierën e dramës së tij “Në Zvornik lashë zemrën time”. Dy herë skenarist i Kusturicës dhe qëndrimi ndaj tij

“Ju do të pyesnit se si një Abdullah si unë, ia ka vënë emrin së bijës Miranda?”. Të kujton Krishtin. Çdo pyetjeje i përgjigjet me një histori. Edhe lidhjen me shqiptarët e shpjegon përmes emrit të vajzës së tij, të cilën e ka rritur dhe “pagëzuar” një gjakovare. “Ime bijë flet më mirë shqip se serbo-kroatisht”, - thotë ngadalë, teksa shton duke tundur kokën si të shprehte çudinë se si ca takime ndryshojnë rrjedhën e jetës, madje dhe të origjinës. Botuesi i tij italian, Piero Del Giudice ka të drejtë kur thotë se ai ofron çelësin e gjërave. Nuk ofron analiza filozofike, por ngjarje, të cilat flasin shumë më tepër.

Poeti dhe dramaturgu boshnjak, Abdullah Sidran, ende nuk kishte pasur kohë të shihte Tiranën, por ishte i sigurt se ishte e bukur dhe se do të kthehej sërish. Ka sjellë me vete një dramë lufte “Në Zvornik lashë zemrën time”, që sot në mbrëmje performohet në skenën e Akademisë së Arteve si një bashkëpunim i Teatrit të Metropolit dhe Teatrit të Mantovës. Ka sjellë edhe ca poezi në një përmbledhje dy gjuhëshe serbo-kroatisht dhe italisht, “Il cieco canta alla sua citta” (“I verbri i këndon qytetit të tij”). Janë poezi për Sarajevën, për të kaluarën dhe të tashmen e saj. Në një takim të zhvilluar dje paradite, Sidran lexoi disa poezi të cilat lidheshin me kujtime të tij të hershmme, që nga koha e gjimnazit, kur vendosi të merrej me letërsi.

Në Shqipëri, ata që e njohin Sidran mund të numërohen me gishta, por rezulton të jetë një nga poetët më të rëndësishëm boshnjakë. Ai ka ardhur për premierën e dramës së tij. Një dramë që flet për luftën, për masakrat e Arkanit dhe Sheshelit mbi popullsinë myslimane në Bosnjë, por edhe për dyzimin e personalitetit të njeriut në periudha tragjike. Sidran nuk u largua nga Bosnja edhe kur kishte luftë. “Situatat tragjike, të zbulojnë talentin e fshehur brenda”, - thotë Sidran, i cili e shfrytëzoi dhuntinë e të shkruarit për të punuar më shumë për teatrin. “Ishte e vështirë të punoje në kohën e bombardimeve, por teatri nuk u mbyll. Kemi vënë rreth 15 premiera në vit dhe salla ishte gjithnjë e mbushur me spektatorë. Në ato kohëra lufte, kultura na ndihmoi të mbijetonim e të ecnim përpara”, -thotë shkrimtari.

Përveçse një poet që ka marrë shumë çmime brenda e jashtë vendit, Sidran është i njohur për skenarët e tij. Ka bashkëpunuar dy herë me regjisorin Emir Kusturica, në filmat “E mbani mend kukullën Bell?” e vitit 1981, fituese e Luanit të Artë në Venecia dhe “Babai është në udhëtim pune” i vitit 1985, fitues i “Palmës së artë” në Kanë. Kur e pyet për marrëdhëniet e tij me regjisorin e njohur, Sidran thotë se i ka prerë ato qysh prej vitit 1992. “Kusturica mbetet një regjisor i madh dhe nuk duhet ngatërruar personaliteti artistik me përkatësinë politike dhe partinë së cilës i përket. Kjo është zgjedhje personale e tij”, - tregon Sidran, i cili shton se me përkatësinë e tij politike, Kusturica e ka dëmtuar kulturën boshnjake. Megjithatë ai është i kënaqur që ka bashkëpunuar me të për dy filma që i kanë rezistuar kohës. “Më vjen mirë që kam qenë skenarist i dy filmave që flasin për Sarajevën, për shtëpinë, për popullin tonë dhe në këtë pikëpamje nuk i kam shërbyer Kusturicës”, - vazhdon ai, ndërsa duket se nuk është dakord me krijimtarinë e mëpasshme të regjisorit të angazhuar në vijat politike të Millosheviçit.

Drama “Në Zvornik lashë zemrën time” shfaqet sot në orën 21.00. Interpretojnë një grup aktorësh shqiptarë e italianë, mes të cilëve Adriano Evangelisti, Marco Casazza, Erica Puddu, Ema Andrea, Helidon Fino, Alert Çeloaliaj, Lulzim Zeqja, Helidon Fino, Devis Muka, etj. Drama mban regjinë e Frederica Restanit dhe luhet në gjuhën italiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›