Partizani, më shumë me veten se me Flamurtarin
Prej ditësh, të kuqtë nën drejtimin e trajnerit Hasan Lika kanë nisur punën për takimin e javës së gjashtë, ku do të jenë mysafirë në Vlorë. Pesë javët e para nuk kanë folur për Partizanin, pasi me katër pikët e grumbulluara ndodhet në vendin e nëntë, ose një pikë larg vendit të fundit. Sipas futbollistëve të Partizanit, ata nuk ke pse i pyet se çfarë pritet nga skuadra, pasi të gjithë e kanë të qartë se çfarë duhet të bëjnë. Por njëkohësisht ata janë edhe në pritje të atyre që të gjithë e dinë, shlyerjen e rrogave të prapambetura. Pritet që pragndeshja me Flamurtarin të rregullojë diçka te të kuqtë, në mënyrë që Partizani të dalë nga rutina e zymtë në të cilën është zhytur dhe të nisë rritja në shkallët e klasifikimit. "Ky kampionat ka nisur shumë keq për Partizanin, pasi fanella e kuqe nuk e meriton të jetë në këto pozita. Nuk ka nevojë që të jepen shpjegime të hollësishme për këtë, sepse pothuajse gjithçka është e qartë, por mbetemi me shpresë që shumë shpejt do ta kalojmë të keqen dhe të kthehemi te vendi që na takon. Takimi me Apoloninë tregoi se për Partizanin nuk ka asnjë ndeshje të lehtë, kështu që i tillë do të jetë edhe ai që do të luajmë në Vlorë. Për momentin më shumë po merremi me veten, pasi kemi nevojë që të ngremë moralin në grup dhe të harmonizohemi sa më shpejt. Nëse ia arrijmë këtij qëllimi, do ta kemi më të lehtë që të zhvillojmë një lojë të mirë në fushën e Flamurtarit. Natyrisht, në Vlorë nuk kemi çfarë të humbasim, prandaj së pari na duhet të gjemë vetveten dhe më pas të japim maksimumin në ndeshje,"- janë shprehur dje disa futbollistë të Partizanit, të cilët do t'i lëmë anonimë, pasi dihet se heshtja e futbollistëve me median është akoma në fuqi. Pavarësisht gamës së madhe të problemeve që ka Partizani, grupi po mundohet të përkushtohet në stërvitje, në mënyrë që në Vlorë të bëjë një figurë ndryshe nga ajo që tregoi ndaj Apolonisë.