Kristiano Ronaldo kërkon lavdinë në Champions
Kristiano Ronaldo është i vendosur ta ndihmojë Mançester Junajtid që ta rifitojë këtë sezon titullin e Ligës së Kampioneve dhe Premier Ligën. Pasi janë rikthyer te fitorja, edhe në kampionatin anglez, duke mundur Boltonin, "djajtë e kuq" gjithashtu kanë triumfuar mbrëmjen e të mërkurës, duke shënuar tri gola në portën e Alborgut dhe duke marrë një pozicion të favorshëm në renditjen e grupit, për t'u kualifikuar në raundin e dytë. Lajmi i mirë për Sër Aleks Ferguson ka qenë se Ronaldo ka luajtur në të dyja ndeshjet, që nga minuta e parë. Mesfushori 23-vjeçar, që është rikthyer në fushë pas dëmtimit dhe një vere tepër të ngatërruar, për shkak të spekulimeve për transferimin e tij te Reali i Madridit, duket se është në formë të mirë dhe se operacioni në kavilje nuk po e pengon në këtë rikthim. Në njëfarë pike, Ronaldo ka treguar se dëshira e tij për t'u larguar sezonin e kaluar është shtyrë më shumë nga sukseset e shumta të arritura me "djajtë e kuq", me mendimin se ai e kishte arritur gjithçka të mundur në "Old Traford". Megjithatë, ish-mesfushori i Sportingut të Lisbonës tani insiston se ka ende shumë për të treguar, si dhe shpreson të lërë përshtypje të mira edhe njëherë tjetër. "Jam gjithmonë gati për një sfidë tjetër, - tha ai. - Këtë sezon do të jetë e njëjta gjë. Do përpiqem të bëj më të mirën time, të luaj si sezonin e kaluar dhe ta ndihmoj Mançesterin ta fitojë titullin. Nuk e di, nëse do t'ia arrijmë, por do të jap maksimumin tim për këtë qëllim. Nëse nuk përpiqesh, nuk arrin asgjë. Do të bëj përsëri të njëjtat gjëra dhe shpresojmë që të na krijohen mundësitë për të përsëritur atë që arritëm sezonin e shkuar." Duke qenë se ai mungoi muajin e parë të sezonit të ri, për shkak të dëmtimit, duket shumë e pamundur që ai ta përsërisë formën e sezonit të kaluar, ku shënoi gjithsej 42 gola dhe fitoi çmimin "Lojtari i Vitit". Jo vetëm që koha është kundër tij, por tani ai ka edhe një tjetër shok skuadre që kërkon të gjejë rrugën drejt rrjetës. Në fakt, Ronaldo shërbeu për Dimitar Berbatov në rastin e golit të tretë në "Energi Nord Arena" dhe po kërkon të ndërtojë një lloj marrëveshje në fushë me të, që ta bëjë tepër të frikshëm sulmin e Mançesterit, së bashku me Uejn Runin. "Është gjithmonë mirë që sulmuesit të shënojnë, pasi i ndihmon në besimin te vetja, si dhe më vjen mjaft mirë që Dimitar shënoi golin e parë për Mançester Junajtid, - tha Ronaldo. - Të gjithë e dinë që ai është futbollist shumë i mirë, vetëm se na duhet pak kohë që të mësohemi me stilin e tij të lojës, pasi më parë nuk kemi luajtur bashkë, dhe stili i tij është ndryshe nga ai i Karlos Tevez dhe Uejn Runit. Në dy ose tri ndeshjet e ardhshme do të ketë një mirëkuptim më të mirë mes nesh në fushën e lojës. Ai është futbollist fantastik dhe do të jetë një plus i madh për Mançesterin në këtë sezon." Gjithashtu, Ronaldo ka shtuar se skuadra e tij ka një rrugë të gjatë dhe është duke pësuar ngritje në formë. Ai ka thënë të njëjtën gjë edhe për veten e tij, duke shtuar se ndoshta dhe për tri javë ai do të jetë në maksimumin e tij, kohë kur shqetësimet në kavilje të jenë zhdukur përfundimisht. "Do të duhen dy ose tri javë të tjera, përpara se të jem në maksimum të gjendjes time, - tha ai. - Ndihem shumë mirë tani që jam rikthyer në fushë, për të dhënë kontributin tim. Ka përmirësime të mira dhe e përsëris se ndihem shumë i lumtur që jam rikthyer. Por kavilja ime nuk është rikuperuar ende tërësisht. Stafi mjekësor i klubit më ka thënë se kjo është diçka normale; brenda dy ose tri javëve gjërat do të normalizohen dhe unë do të jem në maksimumin tim. Ndjej akoma disa shqetësime të vogla, që kanë mbetur pas operacionit." Në përgjithësi, është krijuar përshtypja se Ronaldo do të largohet, në mos sezonin e ardhshëm, atëherë kur Ferguson të vendosë se do të jetë koha e duhur. Ferguson ka thënë kohët e fundit se Ronaldo mund të qëndrojë te Mançestri për aq kohë sa ai të ndihet i lumtur. Ronaldo duket se po ndihet shumë mirë me vendimin që mori për të vazhduar edhe këtë sezon në Angli. Duket qartë se lidhja mes Ronaldos dhe Ferguson është tepër e fortë, edhe pse Karlos Keiroz, asistenti i Fergusonit, që kishte marrëdhëniet më të ngushta me mesfushorin, tashmë është larguar për të marrë drejtimin e përfaqësues së Portugalisë. "Ndihem shumë rehat këtu, - tha Ronaldo. - Disa javë më parë luajta ndeshjen time të parë dhe të gjithë po e vlerësojnë lojën time. Në në këtë klub ndihem shumë i lumtur. Dëshiroj të vazhdoj kështu!"
Liga e Kampionëve
Dje
Inter – Verder
Anorthosis – Panathinajkos
Liverpul – PSV
Atletiko – Marsejë
Kluj – Çelsi
Bordo – Roma
Fenerbahçe – Dinamo K
Arsenal – Porto
Të martë
Alborg – Mançester0-3
Vilarreal – Selltik1-0
Bajern M. – Lion1-1
Fiorentina – Steaua0-0
Arsenal – Porto4-0
Fenerbahçe – Dinamo K0-0
Zenit – Real M1-2
Bate – Juventus2-2