E Shtunë, 31 Tetor 2026

Huper: Brukseli të mos e luajë lojën e Beogradit

PRISHTINE-  “Loja e presidentit të Serbisë Boris Tadiç ka funksionuar shumë mirë karshi Bashkimit Evropian, por siç duket jo edhe me kancelarin gjermane Angela Merkel”- ka deklaruar ish-diplomati amerikan James Huper. Në një intervistë për europa e lirë Huper tha se kancelaria Merkel në vizitën e saj të fundit në Beograd i dërgoi një porosi të qartë për Kosovën jo vetëm Beogradit, por edhe diplomatëve në Bruksel, kur tha se epoka e ndarjeve dhe ndryshimeve të kufijve në Ballkan ka marrë fund.

“Në këtë formë, janë prerë vendosmërisht përpjekjet e Tadiçit dhe të tjerëve në qeverinë serbe, që të luajnë lojë të dyfishtë, duke tentuar të hyjnë në Bashkimin Evropian dhe njëkohësisht duke e mbajtur hapur opsionin e ndarjes. Në këtë formë i është dërguar mesazh edhe vetë Brukselit dhe diplomatëve atje që merren me dialogun, që të mos luajnë lojën e Beogradit. Kjo është lojë e Tadiçit dhe e kolegëve të tij dhe ka funksionuar shumë mirë karshi BE-së, por siç duket jo edhe me zonjën Merkel”, është shprehur Huper.

Lidhur me veriun e Kosovës Huper thotë se nuk mund të shkohet përtej planit Ahtisari për dhënien e një statusi.

“Nuk mund të ketë paqe në veri dhe zgjidhje përfundimtare të asaj situate, derisa të mos ndalet përkëdhelja ndaj Beogradit, përkëdhelja ndaj serbëve. Ekzistojnë norma dhe rregulla ndërkombëtare, të cilat duhet të vlejnë edhe për ta. Sinqerisht, mendoj se populli në Serbi e kupton këtë, por janë ndërkombëtarët ata që duhet ta bëjnë Beogradin dhe serbët në veri të kuptojnë plotësisht se veriu është pjesë e Kosovës dhe se nuk do të ndahet”, ka thënë Huper.

Duke komentuar dialogun për çështje teknike Kosovë-Serbi, ish-diplomati amerikan tha se kjo shihet më tepër si një synim që të vihet grim mbi Serbinë, që të jetë më mirë e përfaqësuar në bisedimet për anëtarësim në BE.
(s.g/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›