“Hyjmë në grevë urie për pallatin”
GJIROKASTER
Banorët e pallatit të rrënuar në lagjen “11 Janari” kërcënojnë me grevë urie. Pas më tepër se dy javësh, banorët që kanë ngelur pa shtëpi kanë ngritur zërin karshi organeve shtetërore. Plot 50 banorë që shpëtuan për fat nga shembja e pallatit, ku mbetën të vdekur 3 vetë, pohojnë se janë braktisur tërësisht nga shteti. Disa familje kanë hyrë në shtëpi me qira, por thonë se shteti ende nuk ka lëvruar fondin e premtuar për shlyerjen e tyre. Të gjendur pa asnjë zgjidhje për të ardhmen e tyre, banorët janë frekuentues të përditshëm të Prefekturës së Gjirokastrës, ku përcillen me të njëjtin togfjalësh “mos u mërzisni, gjithçka do të rregullohet”. Përfaqësuesit e të 14 familjeve që jetonin dikur pranë njëri-tjetrit në pallatin e shembur, janë të revoltuar për trajtimin që iu bëhet atyre nga ana e organeve shtetërore. Shpëtim Llocko, 60 vjeç, invalid, thotë se përveç 500 lekëshit që merr secili familjar për sigurimin e ushqimit të përditshëm, organet vendore nuk kanë dhënë asgjë tjetër. “Unë kam nevojë të marr ilaçe sepse jam i sëmurë dhe askujt nuk i bëhet vonë, - shprehet ai. - Shkojmë përditë në Prefekturë dhe ndihemi mjaft keq kur qëndrojmë në radhë për të takuar prefektin apo funksionarë të tjerë për hallin që na ka zënë, por çfarë të bëjmë tjetër kur ato që na premtuan nuk na i kanë dhënë ende”, pohon Llocko, duke shtuar se gjendja e tashme është më keq, se po humbet durimi. “Më mirë të kishim vdekur me të tjerët sesa të qëndrojmë në mes të katër rrugëve pa përkrahje”, përfundon 60-vjeçari i sëmurë. “Greva është pika kulminante e një reagimi, në momentin kur shteti bën një sy qorr dhe një vesh shurdh”. Në këtë mënyrë është shprehur Vullnet Sinani, njëri prej kryefamiljarëve të pallatit të rrëzuar, gruaja e të cilit ishte e para që u nxor nga rrënojat e plagosur në të dy këmbët. “Nëse deri në fund të këtyre ditëve që kanë ngelur, shteti nuk do të na paguajë qiranë e shtëpive, apo dhe shtimin e kuotës ditore për ushqim apo veshmbathje, pa anashkaluar edhe kërkesën themelore atë të dëmshpërblimit në të holla të apartamenteve të shkatërruara, greva është e detyrueshme të organizohet. Te rrënojat, në një depo të ngelur pezull do të hyjmë të gjithë dhe do të vdesim deri sa të na plotësohen kërkesat elementare”, thotë Sinani. Të gjithë banorët i kanë quajtur demagogji të gjitha ato çfarë janë thënë nga zyrtarët e shtetit për lekët e dhëna. Vetëm nga 20 mijë lekë për person dhe 50 mijë lekë për familje, të dhëna nga ana e Prefekturës dhe Bashkisë së Gjirokastrës, kanë qenë të vetmet fonde të marra prej tyre. “Asnjë kacidhe nuk kemi marrë nga llogaria bankare e çelur për ne dhe kjo është e pamjaftueshme”, shprehen banorët, të cilët vazhdojnë të rrëmojnë nën gërmadha për të gjetur ndonjë kujtim të shpëtuar. Shuma që kërkohet nga ta për një shtëpi të kompletuar shkon nga 5-7 milionë dhe kjo e përllogaritur me kubaturën e mëparshme të apartamentit. Nga 14 familje të ngelura të pastreha, katër prej tyre ende qëndrojnë në hotel ndërsa pjesa tjetër tek të afërmit dhe në banesa me qira. Pallati 5-katësh, buzë rrugës nacionale, u shemb mesditën e 9 nëntorit, duke zënë nën vete 3 banorë, dy gra dhe një vajzë 13-vjeçare. Në fillim u premtua për zgjidhje të menjëhershme të çështjes, por deri tani banorët janë pa shpresë.