Errësira shpëton gruan nga vdekja,burri e plagos me një plumb
KLOS - Burri sulmon bashkëshorten me armë zjarri për motive ende të paqarta. Zamir Elezi, 38 vjeç, banues në fshatin Fullqet në Klos ka tentuar mbrëmjen e të martës të vrasë gruan e tij, Lulëzime Elezi, 34 vjeçe. Sipas policisë së Burrelit, ngjarja ndodhi rreth orës 22:30, kur Elezi, në gjendje të dehur qëlloi disa herë ndaj të shoqes. Për fatin e gruas, nënë e 4 fëmijëve, në ato momente nuk kishte drita dhe ajo ka mundur të devijojë, duke u prekur vetëm nga një plumb. Fqinjë të familjes Elezi janë shprehur për grupin hetimor se çifti kishte katër fëmijë dhe marrëdhëniet mes Zamirit dhe Lulëzimes ishin normale. “Nuk kishim dëgjuar të bënin sherr me njëri-tjetrin. Zamiri është një muzikant i mirë dhe Lulëzimja një grua punëtore dhe e zonja. Jemi habitur kur kemi dëgjuar krismën e armës. E gjetëm Lulëzimen në mes të shtëpisë teksa rënkonte. E pyetëm çfarë kishte ndodhur dhe ajo nuk fliste. E dërguam me shpejtësi në qendrën shëndetësore të Klosit dhe prej këndej, rreth mesnatës në spitalin e Burrelit”, thonë ata. Policia fillimisht ka dyshuar për vetëplagosje, por hetimet e mëtejshme zbuluan se çfarë kishte ndodhur. Zamir Elezi është vënë në pranga, ndërsa policia bllokoi pistoletën bashkë me 6 fishekë, të cilat i mbante pa leje. h.p