E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërsi : Pranvera sjell historitë e dashurisë

Tituj të rinj vijnë pranë lexuesve nga autorë të njohur botërorë
Edhe këtë sezon pranveror për numrin më të madh të lexuesve, duket se mbetet e preferuar letërsia rozë. Stendat e librarive të kryeqytetit janë pasuruar me një numër librash të rinj, të autorëve shqiptarë dhe të huaj, të cilët sjellin histori dashurie dhe romane të mbushura me pasion. Por dhe nga shtëpitë botuese këtë sezon është preferuar që të vijnë pranë lexuesit më shumë botime të tilla, të cilët mbajnë emrin e autorëve të njohur botërorë. Kështu për lexuesit shqiptarë vijnë autorë si Johanna Lindesy, e cila është quajtur dhe si mbretëresha  e historive të dashurisë, por kësaj liste i shtohen dhe emra të tjerë si shkrimtarja italiane Gabriella Magrini, apo dhe shkrimtari rus Anatoli Toss. E preferuar këtë sezon letërsia rozë ka bërë që stendat librarive të mbushen me tituj nga autorë që shkruajnë këtë letërsi. Në librin e Johanna Lindsey Dashuro vetëm një herë, vjen pranë lexuesit një histori dashurie e shkëlqyer. Në libër vjen një familje e paharrueshme mashtruesish elegantë, aventurierësh të mëdhenj, dhe zonjash të bukura me karaktere të pazakontë, të treguar nga autorja e bestsellerit, një mjeshtre e këtyre historive, që krijon letërsi artistike si askush tjetër. Sharmi dhe forca magjepëse e personazheve të magjepsin. Një joshës flokë artë,i quajtur Nikolas, qe bërë i pashpirt nga një sekret i dhimbshëm në të kaluarën e tij. Dhe tani që ai kishte përlyer emrin e Regit, zonjusha gjaknxehtë ishte betuar se do të martohej me të. Bukuria e saj e trondit Nikolasin më shumë se çdo femër tjetër dhe kjo i ngjall atij një pasion shkatërrues, por mbase dhe një dashuri që mund të jetohet vetëm një herë në jetë. Ndërkohë që shkrimtarja milaneze Gabriella Magrini sjell historinë e një familjeje nga Lufta e Dytë Botërore deri në ditët tona. Në romanin e saj Zjarri i gënjeshtrave në qendër të romanit janë Alesandro dhe Federika, vëlla dhe motër, të lidhur nga një ndjejë e thellë, një lidhje kaq e fortë sa që përligj deri dhe gënjeshtrat e shtirjet, tinëzinë e të vërtetave të dhimbshme, që ruhet nga qetësia dhe dashuria mes tyre.  Të dy viktima të një marrëdhënieje të vështirë më të ëmën janë rritur duke u mbështetur tek njëri-tjetri, ajo në dukje e brishtë dhe ndrojtur dhe ai i bukur dhe i mençur. Sipas moralit të kohës të dy nuk do të ishin në rregull për atë që kishin. Por sjellja e tyre bindëse ka shndërruar në sytë e botës, atë në një nënë të re me një martesë të palumtur pas shpatullave, kurse djalin në një beqar joshës. Alesandro industrialist i madh vendos të martohet me një modele magjepse dhe Federika pas një historie zbulon burrin e jetës së saj. Apasionues dhe tërheqës, një roman që me ndjenjat e holla, stilin dhe ritmin e fortë përshkruan ëndrrat,shqetësimet dhe rebelimet e tri brezave në sfondin e gjashtëdhjetëvjetëve të historisë italiane. Autorja milaneze është gazetare dhe shkrimtare njohur. Ka botuar disa romane si dhe ka bashkëpunuar me revista të ndryshme. Russi Antoli Toss, në romanin Tej cakut të dashurisë, ashtu si dhe te romani Fantazitë e një gruaje ngre probleme të rëndësishme jetësore, siç janë jeta e vdekja, pasioni, dashuria dhe tradhtia. Gjithashtu si te Fantazitë e një gruaje subjekti i romanit e mban lexuesin në tension, që nga faqet e para të librit e deri në fund të tij, duke e befasuar me ngjarjet dinamike të mbarsura me plot të papritura dhe duke e mbyllur në një fund krejt të paimagjinueshëm. Romanet e shkrimtarit bashkëkohor Anatoli Toss: Fantazitë e një gruaje e Një histori amerikane, të nominuar në Rusi për çmimin prestigjioz Bukerov, janë përkthyer në shumë gjuhë të botës, ku sikundër në vendin tonë, kanë njohur sukses botimi. Në Rusi, ai është një nga shkrimtarët më të lexuar në ditët e sotme.  

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›