E Diel, 1 Nëntor 2026

Arratisen nga burgu me çarçafë dy shqiptarë

Itali Policia, në kërkim të Roland Dedes dhe Bledar Shehut, të akuzuar për vjedhje dhe vrasje

Dy shqiptarë kanë kryer arratisje spektakolare nga Burgu i Pizës në Itali. Sipas raportit të mediave italiane, që i referohen policisë, dy shqiptarët ishin arratisur mesditën e së hënës, duke kapërcyer muret rrethuese të burgut me ndihmën e disa çarçafëve të bërë si litar, ndërsa kishin dijeni për mosfunksionimin prej kohësh të alarmit që sinjalizon tentativat e arratisjes. Policia italiane është vënë në kërkim të dy shqiptarëve të arratisur të identifikuar si Roland Dedja dhe Bledar Shehu, përkatësisht 26 dhe 27 vjeç. Po sipas policisë, të arrestuarit, pasi kaluan muret rrethuese të burgut ndaluan një grua, e cila drejtonte një makinë tip xhip dhe pasi e detyruan të zbriste u larguan me shpejtësi në drejtim të paditur. Mediat italiane, duke iu referuar ekspertëve, raportojnë se kjo ka qenë një “arratisje e paralajmëruar”, pasi burgu ruhet nga një staf i kufizuar në numër, që nuk lejonte as ruajtjen e mureve me rojë.

Dy shqiptarët e arratisur nuk kishin marrë ende dënimin përfundimtar. Njëri nga ata akuzohej për vjedhje, ndërsa tjetri për vrasje. Autoritetet policore kanë nisur hetimet, ndërsa forca të shumta me uniformë kanë nisur një operacion kërkimi në tokë dhe ajër për arrestimin e tyre. Në dispozicion të kërkimeve është vënë edhe një helikopter. Policia po kontrollon në të gjithë qytetin dhe akset kryesore të Pizës. Në stacionet e policisë janë shpërndarë fotot e dy të arratisurve, si dhe po mbahen nën kontroll supermarketet, ku mendohet se dy të arratisurit mund të hyjnë për të marrë para të domosdoshme për arratisjen e tyre.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›