Xherard tundohet nga Reali e Milani
29-vjeçari është i pakënaqur me drejtuesit e “Reds” dhe kërkon një tjetër klub që mund t’i sigurojë trofe të rëndësishëm
Mesfushori duket se ka vendosur të largohet nga Liverpuli në fund të sezonit
Stiven Xherard është gati të largohet nga Liverpuli: lojtari kërkon dëshpërimisht që të fitojë trofe, duke qenë se karriera e tij si profesionist është drejt “perëndimit”. Kapiteni i “Reds” po shqyrton seriozisht mundësinë e transferimit në një tjetër skuadër të rëndësishme, ndërsa vlera e kartonit përllogaritet në afro 34 milionë euro (30 milionë paund). Liverpuli po vazhdon periudhën e vështirë nën drejtimin e trajnerit Rafa Benitez, ndërsa destinacioni më i mundshëm duket Reali i Madridit. Xherard është mjaft i shqetësuar për mënyrën sesi po punojnë drejtuesit e klubit, pasi skuadra ka humbur terren përballë rivaleve kryesore si në kampionatin anglez ashtu edhe në kupat europiane. Frika më e madhe e 29-vjeçarit (më 30 maj ai feston 30-vjetorin e lindjes) është se me qëndrimin në “Anfilld Roud” deri në fund të karrierës do të komprometonte shanset e tij për të fituar tituj të tjerë. Ndryshe nga mjaft yje të tjerë të nivelit të lartë, transferimi i Xherard mund të realizohet vetëm nga “etja” për të fituar dhe jo për të siguruar kontrata me rrogë të majme. Duke qenë se përveçse është lojtar i Liverpulit, ai është edhe një tifoz i skuadrës, mesfushori ka hedhur poshtë çdo mundësi për të luajtur me një tjetër klub në Premiership. Preferenca e tij është që t’u bashkohet “galaktikëve” të Florentino Perez. Dështimi i “Reds” në objektivin për t’u kualifikuar në Champions gjatë edicionit të ardhshëm, do të ishte një faktor më shumë që do ta shtynte larg kapitenin. Klubi ka probleme të theksuara financiare dhe humbja e mbi 22 milionë eurove që përfitohen nga pjesëmarrja në aktivitetin më prestigjioz do të bënte që Benitez, apo kushdo trajner tjetër që do të punojë gjatë verës në “Anfilld” ta ketë të vështirë të blejë futbollistë të rëndësishëm.
Në anën tjetër, Reali i Madridit nuk e ka të vështirë të grumbullonte 34 milionë eurot që do të shërbenin për të hapur negociatat me Liverpulin. Drejtuesit “merengue” e kanë shfaqur publikisht vlerësimin për lojtarin: spanjollët janë të bindur se loja energjike dhe vendosmëria që Xherard shfaq në fushë, pa harruar këtu edhe kualitetin e padiskutueshëm në lojën me top, janë elementet, të cilat i nevojiten skuadrës për të triumfuar në La Liga dhe në Champions. Për mesfushorin e përfaqësueses angleze interesohet edhe Milani, e kuqezinjtë janë të gatshëm të fillojnë bisedimet. E ardhmja e lojtarit pritet të mësohet pas Botërorit 2010, ndërsa një person i afërt me të pohoi: “Stiven po shkon drejt të 30-ve dhe e ka të qartë se është në fund të karrierës e kërkon të fitojë sa më shumë trofe në këto pak vite të mbetura. Ai mendon se mundësia për t’u transferuar në Spanjë, për t’iu bashkuar yjeve të Realit është fantastike. Frika e tij më e madhe është se Liverpulit mund t’i nevojiten disa vite përpara se të krijojë një skuadër që pretendon trofe, ndërkohë që edhe Milani cilësohet një alternativë e mirë”.
#