Pirlo: Refuzova Çelsin, pasi Milani mund ta fitojë titullin
Andrea Pirlo shpjegoi se vendosi të mos largohej nga Milani drejt Çelsit, pasi është i bindur se kuqezinjtë kanë shansin të fitojnë titullin kampion në Serinë A. Kalimi i 30-vjeçarit në "Stemford Brixh", për t‘u bashkuar me Ançelotin, dukej pothuajse i sigurt. Megjithatë, ndërhyrja e Berluskonit mbylli çdo diskutim, me presidentin që saktësoi se Pirlo do ta mbyllë karrierën në "San Siro". "Kisha të dhëna për një ofertë të mirë nga Çelsi, menaxheri më ka mbajtur të informuar", deklaroi lojtari. "Arsyeja përse qëndrova te Milani është e thjeshtë: asnjëherë nuk kam kërkuar të largohem nga ky klub. Mund të them se e dija çfarë do të ndodhte, tri ditë përpara takimit mes drejtuesve të skuadrës". Në fund organizatori theksoi: "Nëse objektivi i klubit për sezonin e ri do të ishte një pozicion i pranueshëm për të luajtur në kupa, do të isha larguar te Çelsi. Unë dua të fitoj. Nuk janë thjesht deklarata. Personalisht jam i bindur se këtë vit mund ta fitojmë kampionatin".