Hyn në fuqi marrëveshja SHBA-BE
Në bazë të një marrëveshjeje të njohur si marrëveshja e qiejve të hapur, kufizimeve afatgjata të vëna në fluturimet mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka ardhur fundi. Çdo avion evropian do të ketë mundësi të fluturojë nga çdo aeroport i vendeve të BE-së për në Shtetet e Bashkuara. Po ashtu, as avionët amerikanë nuk kanë kufizime se nga cilat aeroporte mund të fluturojnë për në Evropë. Si një nga shtetet e reja anëtare të Bashkimit Evropian, Sllovenia ka hequr kontrollet me Austrinë, Italinë dhe Hungarinë, ndërsa ka forcuar kontrollet me Kroacinë që është jashtë bllokut. Shefi i policisë kufitare në Slloveni, Andrej Zakrajsek, tha se procedurat në aeroportin e Lubjanës i janë nënshtruar kontrolleve të forta. "Jemi përgatitur për kontrolle në kufi për të qenë në linjë me ‘Shengen‘-in. Disa herë u kontrolluam dhe na u konfirmua se puna që po bënim ishte në rregull. Pajisja jonë është e teknologjisë së lartë, kështu që ja ku jemi duke pritur hyrje të plotë në zonën ‘Shengen‘", deklaroi ai. Linjat ajrore thonë se pakti që u arrit pas katër vite negociatash do të çojë në më tepër eficencë dhe do të mbajë çmimet e ulura.