E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyn ne fuqi strategjia e re e pronave

Hyn në fuqi strategjia e re për rregullimin e çështjeve të pronësisë në vend. Dokumenti është botuar në Fletoren Zyrtare dhe synon që deri në vitin 2020 të kenë marrë zgjidhje problematikat me regjistrimin e pronave, kompensimin e tyre dhe legalizimin e banesave informale. Strategjia e re për kthimin e pronave ka në themel kompensimin fizik të tyre dhe jo atë financiar, siç ka funksionuar deri më tani. Në strategjinë e re janë parashikuar afate për zgjidhjen e disa çështjeve që kanë të bëjnë me pronësinë. Kështu, sipas këtij dokumenti, të gjitha pronat në proces legalizimi duhet të formalizohen brenda vitit 2013. Sipas strategjisë, brenda vitit që vjen duhet të ketë përfunduar edhe regjistrimi fillestar i pronave në masën 100% dhe krijimi i regjistrit elektronik publik të pasurive të paluajtshme, të konsoliduar. Afatet e reja diktojnë që brenda vitit 2014 të jetë dhënë përgjigje për njohjen e pronësisë për rreth 7000 dosje nga ana e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ndërsa brenda vitit 2017 është parashikuar dhe afati i fundit ku duhet të lirohen shtëpitë e ish-pronarëve. Sipas draft-strategjisë së re për kthimin e pronave, krijimi i skemës efektive të kompensimit do të bazohet në një analizë të kujdesshme edhe të pasurive në pronësi të shtetit. Pikë qendrore e kësaj analize do të jetë reformimi i metodikës së hartës së vlerës së pasurive të paluajtshme, për të nxjerrë vlerën e pasurive bazuar në vlerën reale të tregut.
Në këtë kuadër do të bëhet ristrukturimi i Agjencisë se Kthimit dhe Kompensimit te Pronave në funksion të procesit të kompensimit, pas një analize të funksioneve dhe eficiencës së saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›