SHBA pakenaqesi ndaj NBC

Emitenti amerikan NBC është kritikuar gjerësisht dhe ngjalli shumë pakënaqësi, pas vendimit për të mos shfaqur direkt garën e 100 metrave për meshkuj gjatë mbrëmjes së të dielës.
Ajo ishte një prej garave më të rëndësishme të Lojërave Olimpike Londër 2012, ndërsa vendimi i televizionit që ka të drejtën e transmetimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shoqëruar me një peticion ku kërkohet që të gjitha garat e ardhshme të transmetohen në kohë reale.
Peticioni deri më tani është firmosur nga 24 mijë persona, ndërsa pakënaqësitë lidhen me faktin se një numër I madh teleshikuesish kërkonte ta ndiqte direkt garën e fituar me rekord olimpik nga Usain Bolt. Por, kjo nuk ndodhi, ndërsa pjesa më e madhe e të interesuarve u njohën me rezultatin nëpërmjet internetit dhe rrjeteve sociale.
“Është e tmerrshme. Kjo është Olimpiada më e keqe që kam parë. Çfarë kuptimi ka të dish rezultatatin përpara se të shikosh garën”, tha Deon Redklif nga Los Anxhelosi. Ndërkohë, në rrjetët sociale nuk ka munguar ironia.
Në “Twitter” spikasnin dy komente, kun ë njërin shkruhej “njeriu më i shpejt në rrjetin e transmetimit më të ngadaltë” dhe “dy miliardë njerëz në botë ndoqën Usain Bolt… por askush në Amerikë”.
NBC ka paguar plot 4.4 miliardë dollarë për të blerë të drejtën e transmetimit të Lojërave Olimpike deri në vitin 2020, ndërsa deri përpara këtij episodi, ata kishin arritur ta shndërronin Londër 2012 në olimpiadën më të ndjekur në histori në Shtetet e Bashkuara.