E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyn në fuqi taksa e re për makinat e përdorura

TIRANE-Që prej pesë ditësh, kanë hyrë në fuqi rregullat e reja për taksimin e shitjes së automjeteve të përdorura në Republikën e Shqipërisë. Pas ndryshimit në ligjin përkatës për taksat nacionale, udhëzimi i ministrit të Financave, që tashmë është publikuar edhe në Fletoren e rradhës Zyrtare, ka bërë që këto rregulla të bëhen të detyrueshme ligjërisht.
Llogaritja
Taksa e mjeteve të përdorura të transportit llogaritet duke shumëzuar cilindratën e motorrit me një koeficient fiks për çdo vit përdorimi dhe me një taksë fikse për llojin e karburantit që përdor makina. Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Koeficienti për vitet e përdorimit është për autoveturat 0.5 për çdo vit përdorimi dhe për mjetet e tjera 0.25 për çdo vit përdorimi. “Vit përdorimi” është diferenca ndërmjet vitit, kur mjeti hidhet në qarkullim të lirë në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë me vitin e prodhimit. Detyrimin për pagimin e taksës e ka importuesi në çastin e importimit dhe shitësi në rastin e shitjes brenda vendit dhe pagesa kryhet para kryerjes së regjistrimit të aktit të kalimit të së drejtës së pronësisë së mjetit në Drejtorinë e Shërbimit Rrugor. Në rastin e shitjeve brenda vendit, taksa për t’u paguar në momentin e shitjes është e barabartë me taksën e mjetit të përdorur të transportit në vitin e shitjes, minus taksën e importimit të mjetit të hedhur në qarkullim në Shqipëri. PSH. një veturë e prodhuar më 1986, me 2.500 cm3, me naftë, është importuar më 2002 dhe shitet në nëntor 2010. Taksa e mjetit do të jetë sa taksa në momentin e shitjes minus taksën e importimit të llogaritur sipas formulës dhe rezultati do të ishte 2500 X 25 X 0.5 X 21 = 656.250 lekë.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›