E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi ‘Gërdeci’ merr një muajpushime

TIRANE -Procesi ‘Gërdeci’ merr pushimet verore, ndërsa të pandehurit do të rrinë edhe një muaj më shumë në qeli dhe periudha nuk do t’u llogaritet tek afatet e paraburgimit. Seanca e djeshme filloi me 90 minuta vonesë dhe shkak ishte gjendja shëndetësore e njërës prej gjyqtareve të trupit gjykues. Për të njëjtin shkak seanca u ndërpre për 20 minuta nga kryetari Ridvan Hado, për të mos rifilluar sërish për arsye të moskthimit të disa avokatëve në sallë. Gjykatësi Hado caktoi datën 3 shtator për seancën e ardhshme, duke respektuar kështu muajin e pushimeve verore, gushtin. Procesi gjykon 29 të pandehurit për veprimet apo mosveprimet që sollën shpërthimin tragjik të 15 marsit 2008 në fabrikën e demontimit dhe çmilitarizimit të predhave e municioneve luftarake në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona, u plagosën dhe lënduan 300 të tjerë, si dhe u shkatërruan apo dëmtuan 4000 banesa dhe biznese. Avokati i administratorit të fabrikës “Albademil”, Mihal Delijorgji dhe avokati Bashkim Asllani i drejtorit të ndërmarrjes MEICO të Ministrisë së Mbrojtjes, Ylli Pinari, dy seanca më parë kërkuan lirimin e dy klientëve të tyre, të cilët bashkë me drejtorin teknik të fabrikës, Dritan Minxolli dhe zyrtarin tjetër të MEICO-s, Sokol Ngjeçi, janë katër të akuzuarit kryesorë që po gjykohen në masën e arrestit me burg. Dje në seancën pas vendimit për moslirimin e dy të pandehurve Delijorgji dhe Pinari, ka qenë avokati Asllani që ka “thyer heshtjen”, duke kërkuar të paktën një kopje të vendimit të zbardhur dhe të detajuar me seancat e pezulluara që ndikuan në moslirimin e dy të arrestuarve të 17 marsit të vitit 2008.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›