Hyn në fuqi udhëzimi për kasat fiskale
Ka hyrë këto ditë në fuqi udhëzimi i Ministrisë së Financave për mënyrën e vendosjes së pajisjeve fiskale, proces ky që duhet të nisë në fillim të 2009-ës. Pas lidhjes së kontratës me disa firma fituese të tenderit të zhvilluar në mars 2008, qeveria shtyu afatin e vendosjes së kasave, i parashikuar që të niste në shtator të këtij viti, për t‘u mbyllur në qershor 2009. Udhëzimi në fjalë përcakton qartë rastet e përdorimit të kasave fiskale, të cilat do të regjistrojnë çdo shitje të kryer nga subjekti. Në faturën e lëshuar nga shitësi do të ketë brenda të dhëna mbi mallin si dhe diferencën e krijuar nga TVSH-ja. Kasat do të jenë gjatë gjithë kohës të lidhura on line me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në mënyrë që çdo veprim i subjektit të jetë i regjistruar. Ligji për vendosjen e pajisjeve fiskale është cilësuar nga qeveria si hap i suksesshëm në drejtim të uljes së informalitetit dhe evazionit fiskal. Përtej këtij suksesi, ajo çka vihet re në udhëzimin e Ministrisë së Financave është mungesa e sqarimit sesi do të veprohet me rastet kur pajisja nuk mund të punojë për shkak të mungesës të energjisë elektrike. I vetmi sqarim që jep ministria lidhet me prishjen e pajisjes për arsye të ndryshme, dhe për këtë do t‘i jepet subjektit një bllok tatimor, me numër serial. Subjekti privat nuk ka të drejtë të ndërhyjë te pajisja në rast se ajo nuk funksionon. Për rregullimin e kasës fiskale do të njoftohet shoqëria e autorizuar për shërbimin në fjalë, e cila ka dalë fituese në tenderin për fitimin e kësaj të drejte. Një tjetër risi e udhëzimit, e cila lidhet me ligjin e ri për procedurat tatimore, është vendosja e sanksioneve për rastet e mospasjes së faturës. Shitësi e ka për detyrë të pajisë klientin me faturë, e cila duhet të ruhet për të paktën deri në 100 metra distancë nga vendi i blerjes së mallit. Në të kundërt, do të vendoset gjobë nga inspektorët tatimorë në masën 1 mijë lekë të reja. Kjo vlen për blerjet e vogla, që kryhen zakonisht gjatë aktivitetit të ditës nga çdo individ. Sa i takon kasës fiskale, memoria e saj arrin deri në 1800 fatura në ditë. Subjekti nuk mund ta përdorë sërish kasën pa shkarkuar më parë të gjithë memorien në prani të shoqërisë së autorizuar për këtë shërbim.