E Diel, 1 Nëntor 2026

Berluskoni: Marrëveshja me Shqipërinë për Bërthamorin

Italia i ka idetë e qarta. Në fillim do të ndërtohet linja e interkonjeksionit, më tej termocentrali me qymyr, e më pas nukleari. Në thelb ky është plani i qeverisë "Berluskoni", i bërë publik zyrtarisht tri ditë më parë në konferencën e fundvitit para gazetarëve italianë. I pyetur për çështje të ndryshme, mediat italiane kanë shfaqur interes për të mësuar rreth planeve për të ardhmen në drejtim të rritjes së burimeve energjetike, duke marrë shkas nga situata jo e mirë që po kalon Italia. Kryeministri Silvio Berluskoni ka pranuar marrëveshjen e lidhur me palën shqiptare që ENEL të ndërtojë një central me qymyr. Madje, shton kreu i qeverisë italiane, po diskutohet me kompaninë për ngritjen e një centrali nuklear. "Projekti është afatgjatë dhe nevoja për energji nukleare është bërë e domosdoshme. Planet tona janë për ngritjen e centraleve te fqinjët tanë, por duhet të shikojmë me shumë kujdes faktin e ndërtimit të nuklearit edhe në Itali", mësohet të jetë përgjigjur Kryeministri italian. Ai ka shtuar gjithashtu se gjatë muajve të fundit janë lidhur një sërë marrëveshjesh me Libinë, Algjerinë dhe Shqipërinë. "Marrëveshjet me këto vende janë në avantazhin tonë, por për t‘i dhënë zgjidhje përfundimtare krizës energjetike nevojitet patjetër ndërtimi i nuklearit në Itali", tha Berluskoni. Sipas "Reuters", Berluskoni, gjatë konferencës është ndalur te marrëveshjet e fundit me Shqipërinë rreth energjisë elektrike nga era dhe për ndërtimin e një centrali nuklear me ENEL. Në këtë mënyrë, gjiganti italian i energjetikës po planifikon të përfshihet në disa projekte prej disa miliardë eurosh. Të paktën për dy projekte ENEL ka shprehur gatishmërinë për të shtrirë rrjetin e saj energjetik. E para lidhet me linjën e interkonjeksionit, Porto Romano (Durrës) - Bari. Kontrata është firmosur me palën shqiptare, ndërsa kanë mbetur edhe disa detaje të vogla. Një tjetër marrëveshje lidhet me dy TEC-et me qymyr, me kapacitet 1600 megavat. ENEL ka bërë studimin dhe pret firmën e Kryeministrit Berisha. Tjetër projekt, po gjigand, lidhet me nuklearin. Për momentin, Italia nuk ka ndërmend që t‘ia nisë një projekti të tillë në vendin e saj, për shkak të marrëveshjes së Kiotos dhe referendumit kundër nuklearit.

Pakti

Qeveria shqiptare ka firmosur marrëveshjen për ndërtimin e një linje nënujore që lidh Porto Romanon dhe Barin. Projekti është hartuar dhe do të zbatohet me fonde të ENEL, me kushtin që 80 për qind e linjës të përdoret nga italianët, ndërsa pjesa e mbetur nga Shqipëria, pa pagesë. "Shqip" ka zbuluar të gjithë marrëveshjen me ENEL për linjën nënujore, e cila do të shërbejë për transportin e energjisë elektrike që do të prodhohet në Shqipëri drejt Italisë. Nga marrëveshja e firmosur pak kohë më parë nga OST, për llogari të qeverisë shqiptare, duket qartë se edhe TEC-et me qymyr do të jenë projekte të ENEL. Njëra nga pikat e marrëveshjes (Leja numër 3, datë 1 tetor 2008)thotë: "Shoqëria ENEL Produzione S.p.A ka të drejtën e shfrytëzimit të kapacitetit të kësaj linje vetëm pasi të ketë vënë në punë termocentralin për prodhimin e energjisë elektrike në zonën e Porto Romanos". Gjithnjë sipas marrëveshjes, linja e interkonjeksionit Porto Romano/Durrës (Shqipëri) - Casamassimal/Bari (Itali) do të ketë një kapacitet transmetimi prej 500 megavat. Një fuqi e tillë do t‘u shërbejë dy TEC-ve që do të prodhojnë energji elektrike me kapacitet 1600 megavat, me vlerë investimi rreth 2 miliardë euro. Puna për ndërtimin e linjës do të nisë brenda 12 muajve pasi palët kanë firmosur kontratën përfundimtare. Edhe pse qeveria ka lejuar ENEL-in që të ndërtojë interkonjeksionin 500 megavat, nga marrëveshja paraprake duket se kompania nuk i ka të gjitha "letrat" gati. Kështu, për shembull, para se të nisë punën, ENEL duhet të dorëzojë pranë Ministrisë së Energjetikës dokumentet që vërtetojnë mbështetjen financiare për realizmin e projektit. I gjithë projekti do të përfundojë pas 6 vjetësh dhe do të vihet në shërbim të palës italiane në 80 për qind të kapacitetit. "ENEL do të shfrytëzojë linjën me koncesion për 20 vjet dhe do ta përdorë 80 për qind të kapacitetit transmetues dhe 20 për qind i jepet për shfrytëzim pa pagesë OST-së sh.a., në Shqipëri. Në rast të kundërt, ENEL i detyrohet OST-së 20 për qind të fitimit të realizuar falë përdorimit 100 për qind të linjës", nënvizon marrëveshja.

Kriza

Italia, në rrezik black-out

Italia ka rrezikuar të ndeshej me një black-out të plotë, falë situatës së krijuar nga mungesa e burimeve. Faktin e ka përmendur Berluskoni, i cili tha se italianët po paguajnë faturat më të shtrenjta të energjisë elektrike në Evropë. "Jemi një vend që varet plotësisht nga importi. Kjo bën që energjia te ne kushton 35 për qind më shumë se në vendet e tjera dhe 50 për qind më shumë se Franca. Për fat të keq na duhen 7 vjet për të ndërtuar një central, që nëse nuk fillon, nuk do të përfundojë kurrë". Nisur nga këto fakte, Italia është e detyruar që një pjesë e potencialit të saj financiar të shtrihet në Shqipëri. Afro 4 miliardë euro mendohet të jetë vlera e investimit për projektet energjetike të financuara nga italianët, për interes të tyre në 80 për qind të rasteve. Ne do t‘u japim energjinë në këmbim të taksave, si dhe të ndotjes së shkaktuar nga TEC-et me qymyr dhe naftë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›