E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Mëhilli: “Partia Socialiste trillon me shifrat ekonomike”



Partia Demokratike, dëshminë me fakte të Partisë Socialiste për rënien e ekonomisë e ka cilësuar trilluese. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, ka reaguar pas konferencës së kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama. “Të dalësh para mediave në datën 2 korrik, të shpifësh e të trillosh 1 orë për ekonominë e vendit pa asnjë fakt e argument dhe të mos shqipërosh asnjë fjalë të vetme për veprën e maratonomakëve të lirisë së shqiptarëve, do të thotë se ruan ndaj tyre frikën, tmerrin dhe urrejtjen që ata u kallën etërve të tij”, - u shpreh Mëhilli. Më tej Mëhilli e ka kritikuar Ramën se gjatë konferencës së tij nuk e ka përmendur 20 vjetorin e eksodit të ambasadave. “Sot (dje), Edvin Rama, në datën 2 korrik, ditën kur 20 vjet më parë të rinjtë shqiptarë shembën Murin e Berlinit në Tiranë, kurse bllokmenët u vërsulën me tërbim dhe mizori kundër tyre, në ligjëratën e tij prej 1 ore, me heshtjen në të cilën nuk shqipëroi asnjë fjalë të vetme për 2 korrikun, dëshmoi se ndan për këtë ngjarje historike mendimin dhe qëndrimin e etërve të tij”, - u shpreh zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, duke shtuar se “çfarë e detyron këtë njeri që në konferencën e tij të gjatë e të mërzitshme të shtypit të mos guxojë të zërë me gojë 2 korrikun, heroizmin, guximin dhe trimërinë e autorëve të tij? Duke dënuar këtë qëndrim të Ramës, ne i bëjmë me dije këtij shoku apo zotërie se drita dhe vepra e 2 korrikut s’do mund të zbehen kurrë nga bllokmenët e rinj që kryeson sot Edvin Rama”.

Berisha takon përfaqësues të Asamblesë së Rajoneve të Europës për zhvillimin e vendit

Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim përfaqësues të Asamblesë së Rajoneve të Europës të kryesuar, nga Mishel Sabban, zv.presidente e këtij institucioni. Në këtë takim Sabban e njohu kryeministrin Berisha me organizimin, aktivitetin edhe prioritetet e Asamblesë së Rajoneve të Europës. Ajo theksoi se Asambleja e shikon me mjaft simpati progresin e shpejtë që Shqipëria ka realizuar në adresë të respektimit të identiteteve dhe zhvillimit rajonal. Kryeministri Berisha, gjatë takimit, nënvizoi se për qeverinë shqiptare, konsolidimi i qeverisjes vendore, decentralizimi, partneriteti dhe zhvillimi integruar rajonal ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet më të mëdha. Ai theksoi se modeli shqiptar i bashkëpunimit rajonal shkon në akord të plotë me Kartën Europiane të Vetëqeverisjes Vendore, si dhe dokumentet e tjera që normojnë Demokracinë dhe Autonominë Lokale. Më tej kryeministri u shpreh se qeveria po punon për përsosjen e konceptit të zhvillimit dhe riorganizimit të rajoneve. Qeveria ka krijuar një klimë mjaft favorizuese për zhvillimin rajonal, duke katërfishuar fondet për investime, duke modernizuar infrastrukturën, ka rritur shkallën e decentralizmit të taksave vendore, ka transferuar të gjitha pronat, pyjet e kullotat, ka decentralizuar shërbimet publike në ujë të pijshëm e kanalizime, si dhe u ka mundësuar akses njësive vendore në politikat e kreditimit dhe huamarrjes publike”, - deklaroi Berisha. Gjithashtu, kryeministri u shpreh se partneritetin rajonal qeveria e ka vendosur mbi bazën e Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve dhe Fondit të akorduar prej tij. “Fondi i Zhvillimit Rajonal po plotëson më së miri normat e Komunitetit Europian dhe garanton një ritëm më të lartë, më të ekuilibruar, më bashkëkohor dhe më të qëndrueshëm të zhvillimit social-ekonomik në rajonet e Shqipërisë, në përgjithësi, dhe zonat periferike ne veçanti”, - u shpreh kryeministri Berisha.

3 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›