Punonjësit e ujësjellësit kërkojnë para nga qytetarët për t’i rilidhur tubat
Mund të tingëllojë disi absurde, por disa ndërmarrje shtetërore vijojnë të funksionojnë akoma me mentalitet “Haxhi Qamili”. Ky shembull më ka ndodhur jo më larg se dje kur isha prezent në ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës në degën e Tiranës së Re. Ishin jo një, por disa raste kur qytetarë të ndryshëm që paguanin rregullisht faturat e ujit të pijshëm e madje edhe me libreza në dorë, vinin në këtë degë të UKT-së të indinjuar për shkëputje absurde të rrjetit të ujit. Sipas tyre, punonjës të Ndërmarrjes së Ujësjellësit kishin ardhur në banesat e tyre (kryesisht pallate) dhe fare pa i njoftuar u kishin shkëputur lidhjet e ujit të pijshëm ose hequr sahatet matës të ujit. “Ma kanë shkëputur për të dytën herë lidhjen e ujit pa më njoftuar dhe më kanë djegur lavatriçen që e kisha lënë në punë në shtëpi, kur dola për të marrë pensionin”,- tregon Rabia nga lagja “Komuna e Parisit” që kishte ardhur për t’u ankuar në zyrën rajonale të UKT-së. Aty u përballa edhe me një tjetër person, N.P., që edhe ai kishte ardhur për të njëjtin problem, e madje pasi kishte paguar edhe faturën e ujit të pijshëm, ishte kthyer sërish pasi kishte gjetur në pallat lidhjen e ujit të shkëputur. E pyeta për t’u njohur më mirë me problemin që kishte dhe më tha se, pasi kishte paguar të gjitha paratë e faturave të ujit, kur kishte shkuar në shtëpi nuk e kishte këtë mall. “Kam qenë për disa muaj tek im vëlla në Greqi dhe kur erdha i morra faturat e tre muajve për t’i paguar bashkë me librezën. Bëra pagesën këtu dhe kur kthehem në shtëpi më tha administratori i pallatit se ata të ujësjellësit kishin ardhur dhe më kishin shkëputur sahatin. Jam pa ujë aktualisht që flas me ju dhe erdha këtu për të bërë kërkesën që ta ma rilidhin. Por këta ‘mjeshtrit’ këtu po më thonë se duhet ta blej sahatin që sipas këtyre kushton 3 mijë lekë, e pastaj edhe hidrauliku i ndërmarrjes më kërkon para që të vijë e të ma rilidhi. Nuk e kuptoj se ç’bëhet këtu”,- thotë z. N.P. për gazetën “Albania”. E ndërkohë që qytetarët ankoheshin për këto parregullsi dhe zhvatje, përgjegjësi i sektorit u kërkonte atyre që të shkonin në drejtorinë qendrore të UKT-së, në afërsi të Medresesë, për të marrë një vërtetim që u dëshmonte se ata nuk kishin më pagesa të prapambetura, megjithëse qytetarët i kishin pagesat të vulosura në libreza. E si të mos mjaftonte e gjithë kjo, më morinë e gjithë këtyre absurditeteve, më i habitshmi ishte ai i kërkesës së punonjësve të UKT-së për para nga qytetarët që të vinin për të rilidhur tubacionin e ujit, ose e detyrimit për ta riblerë sahatin e hequr. E në një kohë që për një kontaktor uji (sahat) punonjësit e UKT-së kërkojnë nga 3-3600 lekë, i njëjti kontaktor shitet në disa dyqane materialeve të ndërtimit në kryeqytet për vetëm 2 mijë lekë. Nga ana tjetër, gjatë këtyre ditëve kanë qenë të shumta pallatet dhe bizneset që në zonën e Tiranës së Re janë ankuar për shkëputje të tubacioneve të ujit të pijshëm nga vetë punonjësit e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës.
3 Korrik 2010